
Kisha Ortodokse ka dënuar dhunën policore në mjediset e saj ndërsa ka kërkuar për respektimin e vendeve të shenjta.
Në reagimin zyrtar theksohet se katedralja është vend i shenjtë lutjeje dhe predikohet kultura e paqes ndërsa bën thirrje për distancim nga dhuna e dialog.
Reagimi zyrtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.”
Pak më herët, tufa policësh me skafandra mësynë oborrin e Kishës Ortodokse duke shoqëruar e dhunuar të rinj.