Senatori amerikan Gary Peters ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri, duke u bërë thirrje autoriteteve që të përmbahen nga veprimet agresive ndaj protestuesve paqësorë.

Përmes një reagimi, Peters ka kërkuar nga të gjitha palët që të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.


“Jam thellësisht i shqetësuar për situatën në përshkallëzim në Shqipëri. Autoritetet lokale duhet të përmbahen nga agresioni ndaj protestuesve paqësorë, ndërsa të gjithë të përfshirët duhet të punojnë për uljen e tensioneve dhe parandalimin e dhunës së mëtejshme”, ka shkruar Peters.

Senatori amerikan ka theksuar gjithashtu se zhvillimet në Shqipëri kanë rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptaro-amerikan në shtetin e Miçiganit, ku jeton një komunitet i madh dhe aktiv shqiptar.

“Miçigani është shtëpi e një komuniteti të fortë dhe të gjallë shqiptaro-amerikan, dhe e di se këto zhvillime janë shumë personale për shumë banorë të Miçiganit”, ka deklaruar ai.

Peters ka nënvizuar se qytetarët shqiptarë meritojnë një qeveri që respekton të drejtat e tyre themelore dhe sundimin e ligjit.

“Populli shqiptar meriton një qeveri që respekton të drejtat e tij themelore dhe mbron sundimin e ligjit. Prandaj, do të vazhdoj të angazhohem për paqe dhe drejtësi për të gjithë shqiptarët”, ka përfunduar senatori amerikan.

Reagimi i Peters vjen në kohën kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë./Telegrafi.