Këngëtarja amerikane Ariana Grande po përjeton një moment të dhimbshëm pas humbjes së qenushes së saj të dashur, Coco, e cila ishte pjesë e jetës së saj për më shumë se 17 vjet.
Ylli i muzikës ndau lajmin më 19 tetor përmes një postimi emocional në Instagram, të shoqëruar me 17 fotografi dhe video që dokumentojnë momente të ndryshme të jetës së tyre së bashku.
Coco më e ëmbla, më e mrekullueshmja dhe më e bukura… Jam shumë krenare për ty. Faleminderit për dashurinë tënde dhe që e bekove këtë planet me praninë tënde për më shumë se shtatëmbëdhjetë vite të mrekullueshme
-shkroi këngëtarja.
Ajo e përfundoi mesazhin me fjalë prekëse, duke theksuar se do ta mbajë gjithmonë në zemër mikeshën e saj katërputroshe.
Ti e bën çdo vend ku shkon më të bukur. Do të më mungosh çdo ditë dhe do të të mbaj gjithmonë në zemrën time. Të dua shumë, vajza ime e ëmbël
-shkroi Grande.
Coco kishte qenë pranë Arianës që përpara se ajo të bëhej një nga yjet më të mëdha të muzikës pop. Qenushja hyri në jetën e këngëtares rreth vitit 2010, kur Grande ishte ende e angazhuar në serialin televiziv “Victorious”.
Në vitin 2012, Coco u shfaq edhe në një prej videove të para të Arianës në YouTube, ku këngëtarja e prezantoi me humor si pjesë të një “interviste”. Me kalimin e viteve, ajo u bë një nga kafshët shtëpiake më të njohura të artistes dhe një pjesë e rëndësishme e jetës së saj personale.
Fotografitë e publikuara nga Grande përfshinin momente përqafimesh, kujtime nga vitet e para dhe pamje nga ditëlindja e 17-të e Coco-s, kur qenushja festoi me një tortë të veçantë për të.
Ariana Grande ka folur vazhdimisht për dashurinë e saj ndaj kafshëve dhe për rëndësinë e adoptimit. Përgjatë viteve, ajo ka adoptuar disa qen nga strehëzat, të cilët janë bërë pjesë e familjes së saj.
Në vitin 2020, këngëtarja bashkëthemeloi organizatën “Orange Twins Rescue” në Los Angeles, me synimin për të ndihmuar kafshët e braktisura të gjejnë familje të dashura.
Humbja e Coco-s shënon fundin e një kapitulli të veçantë në jetën e artistes. Përmes mesazhit të saj, Ariana kujtoi jo vetëm vitet e kaluara së bashku, por edhe lidhjen e veçantë që mund të krijohet mes një njeriu dhe kafshës së tij.
Për këngëtaren, Coco nuk ishte thjesht një qenush, por një shoqe e pandashme që e shoqëroi në një pjesë të madhe të rrugëtimit të saj personal dhe profesional.