“Po haja bukë, më shtrinë në tokë dhe më goditën”, 17-vjeçari jetim rrëfen dhunën policore

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.10.2026, 00:41

Një dëshmi e rëndë vjen nga një 17-vjeçar jetim, i cili pretendon se është dhunuar nga efektivët e Policisë gjatë protestës në Tiranë. Në një video të publikuar nga gazetari Aulon Kalaja, i mituri rrëfen se ndodhej me dy shokë dhe sapo kishte blerë bukë në një fast food, kur u ndalua nga policia.

Sipas rrëfimit të tij, efektivët e pyetën nëse ishte pjesë e protestës. Ai thotë se u shpjegoi se thjesht po kalonte aty, por më pas u kap, u shtri në tokë dhe u godit me shkop gome në shpinë, ndërsa një tjetër efektiv e goditi me grushte në gjoks.

“Me goditën duke ngrënë bukë”, tregon 17-vjeçari, i cili pretendon gjithashtu se u tërhoq zvarrë dhe u ofendua nga policët.

Por dëshmia e tij bëhet edhe më prekëse kur flet për gjendjen e familjes dhe vështirësitë ekonomike. I mituri thotë se nëna e tij merr vetëm 35 mijë lekë pension invaliditeti, ndërsa ai vetë ka statusin e jetimit.

“Nuk ka shtet. Me çfarë do t’i mbash pensionistët, me 100 mijë lekë? Apo nëna ime me 35 mijë lekë pension invaliditeti, dhe unë me status jetimi…”, shprehet ai në video.

Dëshmia ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është trajtuar një i mitur gjatë protestës. Pretendimet e tij kërkojnë verifikim dhe një reagim nga institucionet përkatëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit