Tri komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje të martën, më 20 tetor, në Kuvendin e Kosovës.
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të mblidhet në orën 10:00, në sallën N-10. Në rend të ditës janë miratimi i procesverbaleve të dy mbledhjeve të mbajtura më 30 shtator, shqyrtimi i planit të punës për sesionin vjeshtor 2026, si dhe formimi i grupeve të punës për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë.
Po ashtu, në orën 10:00, në sallën N-302, do të mblidhet Komisioni për Shëndetësi. Anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, si dhe planin e punës së komisionit për sesionin vjeshtor 2026.
Ndërkaq, në orën 11:00, në sallën N-303, do të mblidhet Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Në këtë mbledhje, përveç miratimit të rendit të ditës, është paraparë raportimi i anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.