
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar dhunën e pretenduar të policisë ndaj studentëve dhe të rinjve që, sipas tij, u futën në ambientet e Kishës Ortodokse në Tiranë për t’i shpëtuar përplasjes me efektivët.
Nga ambientet e kishës, Shehaj deklaroi se policia kishte ushtruar dhunë edhe ndaj protestuesve që kërkuan strehim brenda objektit fetar.
“Protestuesit kërkuan të shmangnin dhunën, t’i shpëtonin dhunës së policisë duke hyrë këtu, në Kishë. Policia nuk pyeti. Dhe këtu brenda kishës i dhunoi. Dhunoi protestuesit. Dhunoi studentët”, u shpreh Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe njerëzit e tij se nuk respektojnë as institucionet fetare, duke pretenduar se dhuna ndaj të rinjve synon të shtypë protestat dhe të ruajë pushtetin.
“Këta nuk njohin as kishë, as xhami. Janë të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm për të qëndruar në pushtet, vetëm për të shpëtuar Edi Ramën. Do të mbajnë përgjegjësi një ditë. Nuk ka asnjë diskutim, për çdo dhunim, për çdo protestues, për çdo student, për çdo të ri që kanë dhunuar në mënyrë barbare, edhe brenda një kishe”, deklaroi Shehaj.