Kumbaro: Kemi ngritur ekip psikologësh për nxënësit, dhuna po u merr orë nga jeta fëmijëve

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi se është ngritur një ekip psikologësh për të mbështetur nxënësit dhe familjet e prekura nga situata e krijuar gjatë protestave në Tiranë.
Në një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Kumbaro u shpreh se komunikimi me fëmijët dhe prindërit është thelbësor për të përballuar pasojat psikologjike të episodeve të dhunshme.
Ajo tha se, ndërsa në Tiranë janë evidentuar problematika më të mëdha, në shkollat e tjera mësimi ka vijuar normalisht, me pak episode të veçuara.
“Çdo orë që ua merr dhuna, janë orë të rrëmbyera nga jeta e këtyre fëmijëve. Komunikimi është çelësi i suksesit. Kemi ngritur një ekip psikologësh që duhet të jenë në dispozicion të familjeve dhe prindërve. Çdo moment është një traumë për ta dhe ne nuk do të lejojmë që ata ta kenë në historikun e jetës së tyre.
Duke folur për Tiranën, ku kemi edhe problematikën më të madhe, në të gjitha shkollat e tjera ka vijuar procesi i mësimit normalisht, me shumë pak episode. Janë grupe që vijnë nga jashtë oborrit të shkollave, që tentojnë të prekin stabilitetin dhe të krijojnë turbullira”, tha ministrja Kumbaro.




