Këshilli i Sigurimit diskuton sot disa çështje për Kosovën, çfarë përmban raporti i ri i OKB-së?

20 Tetor 2026 | 09:17

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) do të mbajë sot mbledhjen e radhës për situatën në Kosovë, ku pritet të diskutohen zhvillimet politike, gjendja e sigurisë dhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mbledhja është paraparë të nisë në orën 15:00 sipas kohës së Nju Jorkut, përkatësisht në orën 21:00 sipas kohës së Kosovës.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, pritet të paraqesë raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën, i cili përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2026.

Sipas organizatës Security Council Report, në raport vlerësohet se situata e përgjithshme e sigurisë ka mbetur e qëndrueshme, ndërsa gjatë periudhës së raportimit kanë vazhduar vështirësitë në funksionimin e institucioneve dhe përparimi i kufizuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Një pjesë e diskutimeve pritet t’u kushtohet zhvillimeve politike në Kosovë, përfshirë formimin e qeverisë në shtator dhe zgjedhjen e Justina Pula-Shirokës presidente më 7 tetor, me 81 vota.

Në fokus pritet të jetë edhe situata në veri të Kosovës. Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm e përshkruan gjendjen në këtë pjesë të vendit si të qetë, por të brishtë, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet autoriteteve qendrore dhe atyre lokale.

Në dokument përmenden edhe çështjet që lidhen me kompetencat komunale, rrënimin e objekteve, dëbimet nga pronat dhe veprimet e Policisë së Kosovës. Këto zhvillime janë trajtuar në raport në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve.

Çështje tjetër që pritet të diskutohet është dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023.

Sipas raportit, gjatë periudhës së përfshirë nuk është mbajtur takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut, megjithëse përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Peter Sørensen, ka vazhduar kontaktet me të dyja palët.

Në mbledhje mund të trajtohen edhe përpjekjet për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, si dhe përgjegjësia për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023.

Raporti përmend gjithashtu çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Sipas të dhënave të përfshira në dokument, deri më 15 shtator 2026, fati i 1 mijë e 579 personave vazhdonte të mbetej i pazbardhur.

Në mbledhje pritet të ketë qëndrime të ndryshme edhe për të ardhmen e UNMIK-ut. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar më herët mbylljen e misionit, ndërsa Britania e Madhe ka mbështetur rishikimin strategjik të rolit dhe përgjegjësive të tij. Rusia dhe Kina kundërshtojnë reduktimin e misionit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Konjufca: Ambiciet territoriale të Serbisë, kërcënim serioz për Kosovën dhe stabilitetin rajonal

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ambiciet territoriale të Serbisë përbëjnë kërcënim serioz për sovranitetin e...
21:06 | 16/10/2026

Sa të sigurta janë të dhënat digjitale në Kosovë?

Nga 8 deri më 11 tetor, sulmet me dronë ukrainas goditën tri qendra të të dhënave të gjigantit rus Yandex, duke ndërprerë shërbime digjitale dhe...
08:10 | 16/10/2026

Qeveria themelon grupin punues për strategjinë shtetërore në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur në mbledhjen e Qeverisë se është miratuar propozim-vendimi për themelimin e grupit punues për hartimin, bashkërendimin...
14:45 | 14/10/2026