
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë si një sulm të organizuar, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë interesa politike dhe financiare, si dhe aktorë të huaj.
Rama u shpreh se shqetësimet sociale po përdoren për të nxitur dhunë dhe për të rrëzuar qeverinë. Ai pretendoi se protestat zhvillohen në një perimetër të mirëpërcaktuar dhe orkestrohen nga persona të stërvitur për këtë qëllim.
“Interesa të lidhura me natyrisht paranë, me politikën, me pushtetin, në kuptimin e nevojës ulëritëse për të përdorur këtë shqetësim social dhe për ta kthyer në valë gurësh për të rrëzuar qeverinë me imponimin e dhunës, gjë që s’ka për të ndodhur kurrë, por që rëndon në mënyrë dramatike në psikologjinë e qytetarëve.
Krijon idenë se këtu po digjet e gjithë Shqipëria, ndërkohë që ky është një sulm i organizuar në një perimetër të mirëpërcaktuar, që orkestrohet nga duar që janë të stërvitura për këtë punë, që ushqehet me benzinë si një zjarr i brendshëm nga aktorë të huaj.
Kjo kuptohet dhe tani po bëhet një çështje e madhe në të gjithë Europën. Është një luftë hibride që funksionon sepse bazohet te shqetësime reale, jo te fantazira.
Sigurisht që janë reale shqetësimet për të nesërmen e sigurt në raport me strehimin dhe mundësitë për të patur më shumë”, tha mes të tjerash Rama.