Paris Saint-Germain e pret një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit këtë të martë, kur do të përballet me Barcelonën në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Luis Enrique po përballet me një problem të pazakontë, që lidhet me ekzekutimin e penalltive.


Kampioni francez ka humbur tri nga katër penalltitë e akorduara këtë sezon. Desire Doue, Ferran Torres dhe Ousmane Dembele kanë dështuar nga pika e bardhë, ndërsa Lucas Beraldo është i vetmi lojtar i PSG-së që ka arritur ta shndërrojë penalltinë në gol.

Kjo nuk është një situatë e izoluar për parisienët. Edhe sezonin e kaluar, PSG-ja pati vështirësi të dukshme në këtë aspekt, duke humbur gjashtë nga 15 penalltitë e ekzekutuara gjatë lojës së rregullt.

Një nga arsyet që mund ta shpjegojë këtë problem është mungesa e një ekzekutuesi të caktuar të penalltive.

Luis Enrique preferon një qasje fleksibile, duke ua lënë lojtarëve vendimin për atë se kush duhet ta marrë përgjegjësinë në momentin e caktuar.

Megjithatë, ekziston një kontrast interesant në statistikat e skuadrës franceze. Përderisa PSG-ja ka dështuar shpesh nga pika e bardhë gjatë ndeshjeve, ajo ka fituar të gjashtë seritë e penalltive që ka zhvilluar gjatë dy viteve të fundit.

Kjo statistikë merr rëndësi të veçantë para përballjes me Barcelonën, e cila zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin “Parc des Princes”, me fillim nga ora 21:00.

Të dy skuadrat kanë nga gjashtë pikë në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, prandaj përballja pritet të jetë mjaft e rëndësishme për vazhdimësinë e tyre në garën më prestigjioze evropiane për klube. /Telegrafi/

telegrafi sport app