Dy relike të Lionel Messit, një fanellë e Barcelonës dhe shiriti i kapitenit, janë vjedhur gjatë trazirave që kanë përfshirë Parisin. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dy persona të maskuar, të cilët shfaqen para kamerës me objektet e vjedhura, duke i ekspozuar me krenari.
Ngjarja ka ndodhur në një dyqan në qendër të kryeqytetit francez, në zonën pranë Sheshit të Republikës, ku janë regjistruar akte vandalizmi dhe kaos gjatë protestave. Të dyja objektet i përkasin periudhës së Messit tek Barcelona dhe mbajnë firmën e yllit argjentinas.
Përtej vlerës së tyre sportive, këto relike kanë edhe një rëndësi të veçantë sentimentale për tifozët, ndërsa çmimi i tyre mund të rritet ndjeshëm me kalimin e viteve. Vlera e saktë e fanellës dhe e shiritit të kapitenit është e vështirë të përcaktohet, pasi varet nga ndeshja në të cilën janë përdorur, paraqitja e Messit në atë takim, gjendja e objekteve dhe kërkesa në treg.
Megjithatë, nëse nuk sekuestrohen nga autoritetet, ato mund të përfundojnë në tregun e zi për mijëra euro. Shitja e tyre në mënyrë të ligjshme do të ishte një çështje tjetër, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për sende të vjedhura.

Fanellat e Messit janë shitur për më shumë se një milion dollarë
Se sa e madhe mund të jetë vlera e relikeve të argjentinasit, e tregojnë edhe ankandet e mëparshme. Tre vjet më parë, gjashtë fanella të përdorura nga Messi gjatë Kupës së Botës 2022 në Katar, ku Argjentina u shpall kampione, u shitën në ankand për më shumë se një milion dollarë secila.
Ky rekord tregon se objektet e përdorura dhe të firmosura nga një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë mund të arrijnë shifra të jashtëzakonshme.
Vjedhja ka ndodhur në një moment kur Parisi është në qendër të vëmendjes edhe për shkak të përballjes mes PSG-së dhe Barcelonës në Champions League. Të dy klubet kanë pasur një rol të rëndësishëm në karrierën e Messit, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e tyre.
Ndërkohë, trazirat në kryeqytetin francez kanë sjellë mijëra të arrestuar, pavarësisht se një pjesë e madhe e protestuesve kanë dalë në rrugë në mënyrë paqësore.
© SYRI.net
Ilir Daja feston 60-vjetorin, Dinamo i bën urimin e veçantë trajnerit
Polemika në Portugali, Cristiano Ronaldos i mjaftojnë vetëm 36 sekonda për të paguar gjobën
Pas 526 ditësh jashtë fushave, Kulusevski rikthehet tek Tottenhami, tifozët e presin si heroBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: