Kryeministri Edi Rama po zhvillon mbledhjen me grupin parlamentar të Partisë Socialiste që prej orës 09:00, në Kryesinë e Kuvendit. Në fokus, situata nga protestat e dhunshme në Tiranë, ndërsa pritet të diskutohen masa të reja administrative dhe penale ndaj personave të përfshirë në aktet e dhunës.
Në mbledhje janë të pranishëm deputetë socialistë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar. Pritet që Rama t’u japë porositë për hapat që do të ndërmerren me synim rikthimin e normalitetit në kryeqytet.
Kryeministri ka paralajmëruar masa ndëshkuese për personat që shkatërrojnë pronën publike dhe private, si dhe cenojnë jetën normale të qytetit. Ai ka shprehur gjithashtu mbështetjen financiare për efektivët e Policisë së Shtetit që janë përballur me aktet e dhunës gjatë protestave.
Gjatë takimit pritet të bëhet e ditur paketa e masave që do të ndërmerren, si dhe roli që do të ketë secili deputet në zbatimin e tyre.
Kryeministri është shprehur i gatshëm për dialog me studentët, por ka refuzuar kategorikisht dhunën gjatë protestave, duke iu referuar autorëve të saj si “grupi i zjarrit me maska”.