Një valë alarmesh për bomba ka përfshirë disa qytete italiane, duke detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 50 godina arsimore gjatë së hënës, 19 tetor. Mesazhe anonime të dërguara përmes postës elektronike, ku pretendohej se në ambientet e shkollave ishin vendosur lëndë shpërthyese, shkaktuan ndërprerjen e mësimit dhe mobilizimin e forcave të sigurisë.

Situata preku institucionet arsimore në Verona, Padova, Arezzo, Lucca dhe Chieti, ku policia, karabinierët dhe njësitë e specializuara nisën kontrolle të hollësishme për të përjashtuar çdo rrezik të mundshëm.

Verona ishte ndër zonat më të prekura, me 27 godina shkollore të evakuuara që në orët e mëngjesit. Masat përfshinë kopshte dhe shkolla të niveleve të ndryshme, ndërsa prindërve iu kërkua të paraqiteshin për të marrë fëmijët. Fillimisht, një pjesë e nxënësve u grumbulluan në hapësira të sigurta brenda komplekseve shkollore, përpara se të largoheshin drejt banesave.

Sipas informacioneve paraprake, mesazhi që shkaktoi alarmin dyshohet të ketë qenë i shkruar në arabisht, megjithëse përmbajtja dhe origjina e tij mbeten objekt verifikimi.

Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në Padova dhe zonat përreth. Mes institucioneve që ndërprenë aktivitetin ishin shkolla Rodari, instituti Newton në Camposampiero dhe shkolla Vivaldi në Montegrotto Terme. Pas ndërhyrjes së ekipeve antieksploziv dhe karabinierëve, kontrollet përfunduan pa zbuluar ndonjë mjet shpërthyes.

Në Arezzo, alarmi përfshiu liceun Vasari, ku rreth 600 nxënës dhe punonjës u nxorën nga ndërtesa. Sinjalizimi mbërriti në orën 10:53, duke aktivizuar menjëherë protokollet e emergjencës. Nxënësit u zhvendosën në një park pranë shkollës, ku qëndruan deri në mbërritjen e familjarëve.

Ndërkohë, në provincën e Luccas, një tjetër email anonim çoi në evakuimin e 11 godinave shkollore në zonën Oltreserchio. Autoritetet ndërhynë për të kontrolluar ambientet dhe për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit.

Edhe qyteti i Chietit u përball me një situatë të ngjashme, ku tetë godina të Institutit Gjithëpërfshirës nr. 4, me afërsisht 1 mijë nxënës, u përfshinë nga masat e evakuimit. Mes shkollave të prekura ishin Mezzanotte, Ortiz dhe disa institucione të arsimit fillor e parashkollor.

Autoritetet vendore sqaruan se masat nuk përfshinin të gjitha shkollat e qytetit dhe se nuk kishte të dhëna konkrete që të provonin ekzistencën e një kërcënimi real.

Nga kontrollet e raportuara deri tani nuk janë zbuluar lëndë apo pajisje shpërthyese në institucionet e kontrolluara.

Policia italiane po vijon hetimet për të identifikuar personat që qëndrojnë pas mesazheve kërcënuese, si dhe për të përcaktuar nëse alarmet në qytete të ndryshme kanë qenë pjesë e një veprimi të koordinuar.