Ramadani akuzon pushtetin për mashtrim ndaj bujqve: Ku u avulluan 30 milionë euro?

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Ministrin e Bujqësisë, Armend Muja lidhur me buxhetin e subvencioneve dhe granteve për bujqit, duke pretenduar se 30 milionë euro nga shuma e planifikuar nuk janë më në dispozicion.
Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka kujtuar se më 22 qershor ishte bërë thirrja për pagesat direkte për bujqit, ndërsa pushteti sipas tij kishte premtuar mbështetje rekord për sektorin e bujqësisë.
“Mashtrimi i radhës ndaj bujqve: Ku u avulluan 30 milionë euro?!”, ka shkruar Ramadani në reagimin e tij.
Ai ka thënë se buxheti i planifikuar për vitin 2026 ishte 67 milionë euro për subvencione dhe 10 milionë euro për grante, por pretendon se aktualisht në dispozicion janë vetëm 47 milionë euro.
“Pra, 30 milionë euro janë avulluar rrugës!”, ka deklaruar deputeti i AAK-së.
Ramadani ka kritikuar pushtetin për atë që e ka cilësuar si mashtrim ndaj bujqve, duke thënë se premtimet për mbështetje financiare nuk janë përmbushur.
“Bujqit tanë nuk kërkojnë lëmoshë. Ata kërkojnë djersën e tyre dhe atë që u është premtuar!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/


































