Avokati dhe Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Franci Nuri, ka denoncuar trajtimin e të miturve, gjimnazistëve dhe studentëve të shoqëruar nga Policia gjatë protestave në Tiranë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nuri bëri të ditur se qëndroi deri në orën 02:00 të natës në Komisariatin nr. 4 të Tiranës, ku ofroi ndihmë ligjore për të rinjtë e shoqëruar nga policia.
Ai tha se brenda komisariatit, kishte parë fëmijë që qanin, prindër të traumatizuar dhe adoleshentë me shenja dhune në trup.
Sipas tij, pothuajse të gjithë të rinjtë me të cilët komunikoi denoncuan dhunë gjatë ndërhyrjeve policore.
Postimi:
DERI NË ORËN 02:00 TË NATËS, NË MBROJTJE TË FËMIJËVE, GJIMNAZISTËVE DHE STUDENTËVE!
Deri në orën 02:00 të natës isha në Komisariatin nr. 4 të Tiranës, duke ofruar ndihmë ligjore pa kursim për fëmijët, gjimnazistët dhe studentët e shoqëruar nga Policia e Edi Ramës.
Pamje që nuk harrohen lehtë!
Fëmijë që qanin, prindër të traumatizuar, adoleshentë me shenja dhune në trup. Pothuajse të gjithë të rinjtë me të cilët komunikuam denonconin dhunë gjatë ndërhyrjeve policore.
TURP! Fëmijëve u lidheshin duart me fasheta plastike (prangat u mungonin), sikur të ishin kriminelë të rrezikshëm!
Dhe e gjithë kjo ndodh në një kohë kur flitet për shpërblime prej 2.500 eurosh për efektivët e policisë. A është ky shpërblimi për mënyrën se si trajtohen të rinjtë shqiptarë?!
Falë angazhimit të pandërprerë të grupit të avokatëve të Partisë Demokratike dhe mbështetjes së Deputetëve të PD-së, u qëndruam pranë të shoqëruarve dhe familjeve të tyre, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre ligjore.
Falenderoj veçanërisht deputetet Albana Vokshi dhe Hoti Elda, si dhe deputetët Blendi Himçi, Gjin Gjoni dhe Gent Strazimiri, së bashku me kolegët avokatë të vendosur në dispozicion nga Partia Demokratike, për praninë, solidaritetin dhe angazhimin e tyre deri në orët e vona.
Asnjë fëmijë nuk duhet të ketë frikë nga uniforma e shtetit! Asnjë akt dhune policore nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi!
Franci NURI
Avokat
Sekretar për të Drejtat e Njeriut
Partia Demokratike e Shqipërisë














