Depozitat e biznesit po rriten me ritme dyshifrore këtë vit

Depozitat e biznesit po rriten me ritme dyshifrore gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht depozitat e biznesit arritën vlerën e 438.5 miliardë lekëve, në rritje me 13% me bazë vjetore.
Rritja e depozitave të biznesit është ndjeshëm më e lartë krahasuar me rritjen e totalit të depozitave bankare. Në fund të gushtit, vlera totale e depozitave në banka ishte në rritje me 8.6% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Megjithëse struktura e depozitave vazhdon të dominohet nga individët, pesha e bizneseve po vjen në rritje. Në fund të muajit gusht, ato përbënin 22.5% të depozitave bankare, nga 21.7% që zinin një vit më parë.
Rritja e depozitave të biznesit mund të jetë një indikator i tërthortë i ecurisë së mirë të shitjeve, tendencë kjo e theksuar gjatë muajve të verës nga piku i sezonit turistik.
Në periudhën pas pandemisë, depozitat kanë ndjekur një tendencë rritje me ritme relativisht të larta, si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve.
Në veçanti, depozitat e bizneseve janë rritur me 112% në gjashtë vitet e fundit.
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave të bizneseve mund të shpjegohet me disa faktorë. Në përgjithësi, përmirësimi i likuiditetit dhe i gjendjes financiare të bizneseve mund të vlerësohet si përgjigje e përmirësimit të shpejtë të aktivitetit ekonomik pas pandemisë.
Një faktor tjetër mund të jetë menaxhimi më aktiv i likuiditetit nga ana e bizneseve për mbajtjen e kostove nën kontroll dhe vijimi i mbështetjes me kredi nga sektori bankar.
Në vitet e fundit, vetë përmirësimi i kredidhënies ka gjeneruar më shumë likuiditete gjendje në llogaritë e bizneseve.
Në një këndvështrim afatgjatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e depozitave të bizneseve reflekton edhe formalizimin dhe dixhitalizimin e ekonomisë, si dhe rritjen e aksesit të biznesit pranë sektorit bankar. Gjithashtu, sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rritje është mbështetur edhe nga përmirësimet në infrastrukturën financiare si në drejtim të shtrirjes gjeografike, ashtu dhe shumëllojshmërisë së produkteve bankare.
Struktura e depozitave të bizneseve dominohet nga llogari rrjedhëse dhe depozita pa afat, çka tregon preferencën e bizneseve për t’i mbajtur fondet në instrumente likuide pranë bankave. Rreth 90% e depozitave të bizneseve mbahen në llogari rrjedhëse apo depozita pa afat. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









