Aktualitet

Masa ndaj protestuesve, qeveria shqyrton uljen e moshës për përgjegjësi penale!

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa penale dhe administrative ndaj personave që kanë shkaktuar dëme gjatë protestave të ditëve të fundit, ndërsa tha se qeveria po shqyrton edhe mundësinë e kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.

Që nga 13 tetori, mijëra vetë protestojnë, fillimisht në Tiranë si edhe në qytete të tjera, nxitur nga pakënaqësitë e studentëve për kostot e arsimit, kushtet në universitete dhe mungesën e perspektivës ekonomike.

Protestat u zgjeruan shpejt, duke përfshirë qytetarë që kundërshtojnë koston e jetesës, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij.

Por, pavarësisht protestave dhe kërkesave për dorëheqje, Rama nuk jep sinjal tërheqjeje ndërsa shprehet  i gatshëm të dëgjojë edhe qytetarët që kërkojnë largimin e tij, por këmbënguli se ndryshimet politike nuk mund të imponohen përmes dhunës.

Si ftesë për dialog, sot vendosi disa fleta me mbishkrimin “DIALOG” në disa karrige para selisë së Kryeministrisë në Tiranë.

Duke folur sot në Ministrinë e Arsimit, para drejtuesve të shkollave të mesme të Tiranës, Rama mbrojti reagimin e policisë, që po kritikohet lidhur me përdorimin e dhunës së tepruar ndaj protestuesve. Protestat i cilësoi “përpjekje për destabilizimin e vendit”.

Ndërkaq, paralajmëroi një paketë masash, që përveç përgjegjësisë penale do të përfshijë edhe detyrimin për të kompensuar dëmet materiale. Sipas tij, përgjegjësia për dëmet e shkaktuara nga të miturit duhet të përfshijë edhe prindërit.

Po e studiojmë dhe do ta shohim nëse do të duhet ta ulim moshën për dënimin penal, siç thashë që po e bën një sërë vendesh. Mund të kufizohet edhe përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

Aktualisht, sipas Kodit Penal të Shqipërisë, përgjegjësi penale për kryerjen e një krimi kanë personat që kanë mbushur 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtje penale ata që kanë mbushur 16.

Rama përsëriti pretendimet se pas dhunës qëndrojnë aktorë politikë dhe të huaj, pa paraqitur prova publike për këto akuza.

Dje në ditën e shtatë të protestave në kryeqytet, policia ndërhyri më herët për të shpërndarë turmat dhe penguar grumbullimin e protestuesve. Gjykata e Apelit në Tiranë u godit me gurë, ndërsa në mbrëmje pati përplasje pranë Ministrisë së Brendshme.

Sipas autoriteteve, pesë persona u arrestuan pas incidentit te Apeli e 15 u shpallën në kërkim. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një 16-vjeçar.