Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me zvarritjen e punimeve në autostradën Prishtinë-Gjilan, duke rikujtuar premtimin e kryeministrit Albin Kurti për përfundimin e saj.

Bajrami ka publikuar një deklaratë të Kurtit të 21 korrikut 2023, në të cilën ai kishte thënë se autostrada do të bëhej brenda atij viti dhe se mbi 70 për qind e punimeve kishin përfunduar.


Sipas Bajramit, kanë kaluar 3 vjet, 2 muaj e 29 ditë nga ky premtim, ndërsa projekti ende nuk ka përfunduar.

Ajo theksoi se 21 mijë qytetarë e kanë pëlqyer postimin e Kurtit, 2,500 kanë komentuar, ndërsa mbi gjysmë milioni persona e kanë parë atë.

Deputetja ka kritikuar edhe mënyrën se si sipas saj, Kurti shpall lajme për afate të reja duke e akuzuar për dhënie të premtimeve që nuk realizohen.

“Politikanët që nuk i mbajnë premtimet duhet të mbajnë llogari, jo me marrë vota e duartrokitje”, ka shkruar Bajrami.

Në fund, ajo ka kërkuar përgjegjësi politike, duke theksuar se mbajtja e përgjegjësisë është detyrim ndaj qytetarëve dhe brezave të ardhshëm. /Telegrafi/