Siparantum organizon koncert në Pejë për të mbledhur 21 mijë euro për festivalin në Pragë

Kori Siparantum do të organizojë të shtunën, më 24 tetor, një koncert mbështetës në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, me qëllim të mbledhjes së fondeve për pjesëmarrjen në festivalin ndërkombëtar “Songs of Europe”, që do të mbahet në Pragë të Çekisë, nga 18 deri më 23 nëntor 2026.
Koncerti do të fillojë në orën 20:00, ndërsa hyrja për publikun do të jetë e lirë.
Sipas njoftimit të korit, për realizimin e këtij udhëtimi artistik nevojiten 21 mijë euro, të cilat do të shërbejnë për mbulimin e shpenzimeve të transportit, akomodimit dhe ushqimit për anëtarët e korit.
Për shkak të afateve të organizimit, fondet nevojiten deri më 1 nëntor 2026. Për këtë arsye, Siparantum u ka bërë thirrje qytetarëve, bizneseve, institucioneve dhe dashamirëve të artit që të kontribuojnë për pjesëmarrjen e korit në këtë festival.
Gjatë festivalit “Songs of Europe”, Kori Siparantum pritet ta përfaqësojë Kosovën në disa hapësira koncertale në Pragë, përfshirë Smetana Hall, St. Salvator Church dhe St. Nicholas Church.
“Çdo kontribut, pavarësisht shumës, ndihmon në krijimin e mundësive për artistët kosovarë dhe në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e korit.
Kontributet mund të dërgohen përmes llogarive bankare të Siparantum Choir, për transfere vendore dhe ndërkombëtare. Të dhënat bankare janë publikuar nga kori në njoftimin e tij zyrtar. /Telegrafi/




































