Një lajm i trishtë ka prekur botën e modës dhe ndjekësit e rrjeteve sociale. Modelja dhe dizajnerja australiane Sahara Ray është ndarë nga jeta në moshën 34-vjeçare. Sipas raportimit të TMZ, lajmi është bërë i ditur nga familjarët e saj, të cilët kanë konfirmuar se ajo ka ndërruar jetë në spital, në prani të njerëzve të saj më të dashur.

Në deklaratën e tyre, familja ka shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme të modeles, duke treguar se momentet e fundit i kaloi e rrethuar nga të afërmit. Sahara Ray ishte e njohur jo vetëm për aktivitetin e saj në industrinë e modës, por edhe për lidhjen e dikurshme me yllin e muzikës pop, Justin Bieber, e cila kishte tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Ndërkohë, një prej postimeve të saj të fundit në Instagram, i publikuar më 20 korrik, ka marrë një domethënie të veçantë pas lajmit tragjik. Në fotografitë e ndara me ndjekësit, ajo shfaqej me vajzën e saj të porsalindur, Snow, për të cilën kishte shkruar fjalët emocionuese: “E gjithë zemra ime, baby Snow”. Postimi, i cili pasqyronte dashurinë e saj për të bijën, është kthyer tashmë në një hapësirë ku ndjekësit po shprehin ngushëllimet dhe po kujtojnë modelen pas lajmit të hidhur.