Rama nxjerr drejtoreshën e MIA-s para studentëve, protestuesit: Ik, duam dorëheqjen e tij
Studentët dhe akademikët që protestuan sot para Kryeministrisë kanë refuzuar ftesën e qeverisë për dialog, duke kundërshtuar praninë e drejtoreshës së MIA-s, Manjola Hasa, e cila u paraqit për të përcjellë mesazhin e kryeministrit Edi Rama.
Përballë saj, protestuesit kanë kërkuar largimin e saj, ndërsa kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kreut të qeverisë. “Ik!” dhe “Duam dorëheqjen e tij” ishin ndër thirrjet që shoqëruan këtë moment të protestës.
Manjola Hasa u shpreh se nuk kishte shkuar për të bërë deklarata politike apo për t’iu përgjigjur reagimeve të studentëve dhe qytetarëve. Sipas saj, qëllimi ishte të përcjellte ftesën e kryeministrit për dialog.
“Jam këtu nga ftesa e hapur e kryeministrit për dialog. Nëse ka studentë, qytetarë që duan të dialogojnë, për këtë jam këtu. Nuk jam këtu të flas në cilësinë e vendimeve. Jam në emër të qeverisë shqiptare, për ftesën për dialog”, deklaroi Hasa.
Protestuesit kundërshtojnë mesazhin e qeverisë
Përpjekja për të përcjellë këtë mesazh u prit me kundërshtime nga protestuesit. Ata vijojnë të kërkojnë largimin e Ramës dhe të shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë.
Karrige me fletë “Dialog” para Kryeministrisë
Më herët gjatë mëngjesit, para Kryeministrisë ishin vendosur disa karrige, secila e shoqëruar me një fletë ku shkruhej “Dialog”. Me nisjen e protestës, studentët kaluan pranë tyre dhe grisën letrat, duke refuzuar simbolikisht ftesën e paraqitur nga kryeministri.
Marshimi i studentëve dhe akademikëve zhvillohet në një klimë të tensionuar. Ndërkohë, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit mbetet një nga mesazhet kryesore të protestës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



