Kryetarja e Speciales mbron punën e gjykatës: Nuk veprojmë nën ndikimin politik

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka publikuar një video-mesazh në të cilin ka mbrojtur pavarësinë e gjykatës, duke theksuar përkushtimin e institucionit ndaj sundimit të ligjit, gjykimit të drejtë dhe mbrojtjes së dëshmitarëve e viktimave.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur Dhomat e Specializuara janë përballur me kritika dhe reagime të shumta në Kosovë lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe pas ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës.
Trendafilova ka thënë se institucioni që drejton është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tij. Ajo ka theksuar se gjykata ka mandat të përcaktuar ligjërisht dhe se synon të sigurojë procedura penale të sigurta, të paanshme, të drejta dhe efikase.
Sipas saj, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara janë profesionistë me integritet të lartë, të emëruar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese, të cilët i ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur.
“Në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën, të cilat vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”, ka deklaruar Trendafilova.
Ajo ka rikujtuar se vendimet gjyqësore mund të kundërshtohen përmes mekanizmave të ankesave në kuadër të sistemit të Dhomave të Specializuara, përfshirë panelet e Apelit, Panelin e Gjykatës Supreme dhe Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.
Trendafilova ka theksuar se të akuzuarit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe se në disa raste kanë arritur sukses përmes ankesave të tyre.
Kryetarja e gjykatës ka thënë se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, por ka shtuar se askush nuk duhet të ndikojë në mënyrën se si gjyqtarët e interpretojnë dhe e zbatojnë ligjin.
“Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikime apo ndërhyrje politike”, thuhet në deklaratën e saj.
Në video-mesazh, Trendafilova ka përmendur gjithashtu rastet e frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se përpjekjet për të penguar drejtësinë kanë çuar në dënime dhe pranime të fajësisë.
Në përfundim, ajo ka ritheksuar se Dhomat e Specializuara do të vazhdojnë punën e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe pa iu nënshtruar presioneve të jashtme, duke kërkuar që të gjithë aktorët e përfshirë t'i përmbushin detyrimet e tyre në respektim të sundimit të ligjit. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com



































