Lëvizjet në kufijtë tokësorë u rritën me 6.5% në 2025, Morina kryeson, bie fluksi në Muriqan

Fluksi i pasagjerëve në pikat kufitare tokësore të Shqipërisë ka vijuar të rritet gjatë vitit 2025.
Pika kufitare e Morinës vijon të mbetet pika më e rëndësishme për lëvizjen e pasagjerëve, ndërsa rritja më e fortë është regjistruar në Bllatë. Nga ana tjetër një nga pikat kryesore të lidhjes me Malin e Zi, ka shënuar rënie të ndjeshme.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për lëvizjen e pasagjerëve në pikat kufitare tokësore, gjatë vitit 2025 janë regjistruar rreth 14.2 milionë hyrje, me një rritje prej 5.5% krahasuar me vitin e mëparshëm. Ndërkohë, daljet arritën në 14.22 milionë, duke u zgjeruar me 7.5%.
Në total, në kufijtë tokësorë u regjistruan 28.4 milionë lëvizje hyrëse dhe dalëse, me rritje prej 6.5% krahasuar me vitin 2024. Në raport me vitin 2023, kur u regjistruan rreth 24.8 milionë lëvizje, rritja arrin në 14.7%. Të dhënat tregojnë se daljet janë rritur me ritëm më të shpejtë sesa hyrjet.
Morina, pika kryesore kufitare me Kosovën, vijon të dominojë trafikun tokësor të pasagjerëve. Gjatë vitit 2025, në këtë pikë u regjistruan 5.52 milionë hyrje dhe 5.68 milionë dalje, ose rreth 11.2 milionë lëvizje në total. Në Morinë realizohet 39.4% e të gjitha lëvizjeve në kufijtë tokësorë të vendit.
Krahasuar me vitin 2024, numri i hyrjeve në Morinë u rrit me 5.3%, ndërsa daljet me 6.6%. Pika kufitare e Morinit është porta kryesore e qarkullimit tokësor mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe gjithashtu shërben edhe si tranzit për udhëtimet drejt Tropojës dhe anasjelltas.
Ndër pikat kufitare me rritjen më të lartë spikat Bllada, në kufirin me Maqedoninë e Veriut, ku hyrjet u rriten me 55.5% ne 2025 dhe daljet më 52%. Më pas me rritjen më të fortë të fluksit vjen Morina, ku hyrjet u shtuan me 26.3%, ndërsa daljet u rritën me 82.9%.
Në kahun e kundërt, Muriqani në kufi me Malin e Zi regjistroi një rënie të konsiderueshme të fluksit. Me një tkurrje prej 11.6% me hyrjet dhe me 11.7% për daljet. Rënia në këtë pikë mund të lidhet me ndryshime në itineraret e udhëtimit apo zhvendosjen e flukseve drejt pikave të tjera, megjithëse të dhënat nuk japin informacion të mjaftueshëm për të përcaktuar shkaqet.
Pikat kryesore kufitare me Greqinë kanë regjistruar përgjithësisht rritje të lëvizjeve gjatë vitit 2025.Në të gjitha pikat kufitare trafiku i lëvizje shënoi 5.1 milionë udhëtare më 2025 me rritje vjetore 9%. Në Kakavijë, hyrjet shënuan rritje vjetore me 10.4% në 2025. Edhe në Kapshticë, hyrjet u rritën me 8.4%, duke arritur në 1.04 milionë, ndërsa daljet u zgjeruan me 9.3%. Tendencë pozitive është regjistruar edhe në Qafë Botë, ku hyrjet u shtuan me 6.9%, dhe në Tri Urat, me rritje prej 14.8%.
Ndërkohë, në kufirin me Maqedoninë e Veriut, përveç rritjes së fortë në Blladë, një ecuri të kundërt ka pasur Qafë Thana. Në këtë pikë, hyrjet u pakësuan me 4%, nga 1.22 milionë në 1.17 milionë, ndërsa daljet ranë me 1.6%./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









