Pep Guardiola ka publikuar një video në rrjetet sociale për të tërhequr vëmendjen ndaj krizës humanitare në Gaza, nën sulmet izraelite. Trajneri i njohur spanjoll përdori fjalë të fuqishme për të përshkruar vuajtjet e popullit palestinez dhe u bëri thirrje njerëzve në mbarë botën që të mos heshtin përballë kësaj tragjedie.

Duke folur për civilët që kanë humbur jetën në Gaza, Guardiola theksoi se ata nuk duhet të trajtohen thjesht si shifra statistikore, por si njerëz me emra, familje, ëndrra dhe histori jetësore.


“Ata nuk janë të vdekur, janë njerëz që janë vrarë. Ata nuk janë thjesht numra. Janë jetë me emra, fytyra, familje, ëndrra dhe kujtime”.

“Ata nuk janë thjesht viktima civile, janë vajza dhe djem. Kur ndalojmë t’i thërrasim me emrat e tyre dhe pranojmë një gjuhë që fsheh dhimbjen, fillojmë ta humbasim njerëzimin tonë”, deklaroi Guardiola në videon e publikuar në llogarinë e tij në Instagram.

Trajneri spanjoll u ndal veçanërisht te vuajtjet e fëmijëve palestinezë, të cilët po përballen me pasojat shkatërruese të luftës, duke humbur familjarët, shtëpitë dhe sigurinë që duhet ta kenë në fëmijëri.

“Ne i shohim vajzat dhe djemtë në Gaza duke kërkuar prindërit e tyre nën rrënoja. I dëgjojmë thirrjet e tyre për ndihmë, i shohim të uritur dhe të braktisur. Jemi dëshmitarë të humbjes së gjithçkaje, përpara se ata të kenë mundësinë të rriten”, u shpreh ai.

Guardiola e cilësoi periudhën aktuale si një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore, duke theksuar se vuajtjet e fëmijëve nuk mund të pranohen si një pasojë e zakonshme e luftës.

Në mesazhin e tij, trajneri i njohur bëri thirrje për solidaritet me popullin palestinez, duke nënvizuar se heshtja përballë vuajtjeve të tilla nuk është një qëndrim pa pasoja./Telegrafi/

telegrafi sport app