
Dy persona shfaqen në një video virale duke ekspozuar objektet e firmosura nga ylli argjentinas, të cilat dyshohet se janë marrë nga një qendër tregtare pas akteve të vandalizmit në kryeqytetin francez.
Trazirat që kanë përfshirë Parisin ditët e fundit kanë prekur edhe botën e futbollit. Në rrjetet sociale po qarkullon me shpejtësi një video, ku dy persona shfaqen duke mbajtur një fanellë dhe shiritin e kapitenit të Lionel Messit, të dyja të firmosura nga legjenda argjentinase.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas akteve të vandalizmit pranë Sheshit të Republikës, ku dy persona me kapuç shfaqen në video duke ekspozuar para kamerës objektet që pretendohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nga një qendër tregtare.
Pamjet kanë tërhequr vëmendjen e përdoruesve të rrjeteve sociale, jo vetëm për shkak të rrethanave të ngjarjes, por edhe për vlerën e veçantë që mund të kenë këto artikuj, të lidhur drejtpërdrejt me një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë.
Artikujt sportivë të përdorur dhe të firmosur nga Lionel Messi kanë një vlerë të konsiderueshme koleksionimi, e cila mund të rritet ndjeshëm me kalimin e viteve. Çmimi i tyre varet nga rëndësia e ndeshjes, momenti historik me të cilin lidhen, autenticiteti, gjendja fizike dhe kërkesa në treg.
Në vitin 2023, gjashtë fanella të veshura nga Messi gjatë Botërorit të Katarit, ku Argjentina u shpall kampione e botës, u nxorën në ankand. Koleksioni u shit për rreth 7.8 milionë dollarë, një shumë që dëshmon interesin e jashtëzakonshëm për objektet e lidhura me karrierën e yllit argjentinas.
Për fanellën dhe shiritin e kapitenit që shfaqen në videon virale, megjithatë, nuk ka një vlerësim të konfirmuar publik. Vlera e tyre do të varej nga origjina, autenticiteti dhe konteksti në të cilin janë përdorur.
Nëse konfirmohet se objektet janë marrë gjatë akteve të vandalizmit, çështja merr edhe një dimension ligjor. Përtej vlerës sentimentale dhe ekonomike, mbetet e paqartë nëse është bërë denoncim për vjedhjen dhe nëse autoritetet kanë nisur hetimet përidentifikimin e personave të përfshirë.
