Pedagogët i bashkohen studentëve, kërkojnë qeveri kujdestare pas dhunës ndaj të rinjve

Një grup prej 1350 pedagogësh dolën sot në mbështetje të kërkesave të studentëve në një protestë që do të zgjasë pa afat.
Ata dolën me një deklaratë publike përmes së cilës dënuan dhunën që, sipas tyre, është ushtruar ndaj studentëve gjatë protestës dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe krijimin e një qeverie kujdestare.
Në deklaratën e publikuar, pedagogët shprehen të tronditur nga ajo që e cilësojnë si dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut gjatë protestës.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve”, thuhet në deklaratë.
Pedagogët i drejtohen gjithashtu Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për ruajtjen e rendit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të çdo akti dhune ndaj studentëve dhe refuzimin e zbatimit të urdhrave të paligjshëm.
Ata paralajmërojnë se përgjegjësia për veprimet e paligjshme mbetet individuale, duke iu referuar edhe pamjeve të filmuara nga qytetarët dhe mediat gjatë protestave.
Një tjetër thirrje u drejtohet përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave pedagogët u kërkojnë të reagojnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, sipas standardeve që zbatohen në vendet që ato përfaqësojnë.
Në të njëjtën kohë, nënshkruesit u kërkojnë protestuesve të mbrojnë bizneset, pronën publike dhe private, në mënyrë që të shmanget çdo justifikim për përdorimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.
Pedagogët bëjnë thirrje edhe për një pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve të Tiranës në mbështetje të studentëve, duke sjellë si krahasim lëvizjen studentore të vitit 1991.
“Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh. Bashkohuni me ne për t’i mbrojtur nga dhuna”, përfundon deklarata.
Nisma është hapur për nënshkrime të tjera nga pedagogët, përmes një formulari publik ku kërkohen emri, mbiemri, pozicioni akademik dhe institucioni arsimor ku janë të angazhuar. Deklarata përmban gjithashtu një lidhje për konsultimin e listës së pedagogëve që i janë bashkuar nismës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









