Lajmi i fundit

LIVE - Dita e 8-të e revoltës/ Studentët e Mjeksisë bashkohem me pedagogët dhe kolegët e polititeknikumit te Kryeministria

Al Jazeera/ ‘Pika e vlimit’: Pse studentët po protestojnë kundër Edi Ramës në Shqipëri

Al Jazeera/ ‘Pika e vlimit’: Pse studentët po protestojnë kundër Edi Ramës në Shqipëri

11:37, 20/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ekspertët thonë se protestat në Shqipëri pasqyrojnë pakënaqësitë e studentëve, të cilat janë shpërfillur, si dhe një zemërim gjithnjë e më të madh.

Nga Armin Aljovic – Al Jazeera/

Protestat studentore kundër kushteve të këqija në sistemin arsimor shqiptar kanë vijuar për disa ditë radhazi në kryeqytet, Tiranë, ndërsa kryeministri Edi Rama këmbëngul se nuk do të japë dorëheqjen.

Që nga e marta, demonstruesit kanë kërkuar largimin e Ramës përmes protestave që shpesh janë shoqëruar me dhunë. Ata u kanë vënë flakën disa ndërtesave në qytet, përfshirë zyrën e kryeministrit, ndërtesa të ministrive dhe degë të disa bankave.

Dhjetëra punonjës policie dhe protestues janë plagosur gjatë përpjekjeve për të shpërndarë turmat me autobotë uji dhe gaz lotsjellës.

"Ajo që po shihni është pika e vlimit pas muajsh të tërë pakënaqësish të ndrydhura", tha për Al Jazeera gazetari shqiptar Arlis Alikaj.

Prej muajsh, studentët janë ankuar për kostot e larta të arsimit dhe mundësitë e kufizuara për të gjetur punë pas diplomimit.

Afrim Krasniqi, profesor dhe studiues në Institutin e Studimeve Politike në Tiranë, tha për Al Jazeera se studentët dhe të rinjtë protestuan në mënyrë paqësore për gati tre muaj, "por kërkesat e tyre u shpërfillën kryesisht, ndërsa qeveria shpesh u përgjigj me fushata për t'i diskredituar, në vend që të zhvillonte një dialog të vërtetë".

Image

Ai shtoi se përshkallëzimi i tanishëm pasqyron "pakënaqësinë jo vetëm ndaj vetë qeverisë, por edhe ndaj mungesës së përgjegjshmërisë dhe reagimit nga institucionet".

Protestat përbëjnë një nga valët më serioze të pakënaqësisë publike ndaj Ramës, i cili fitoi një mandat të katërt majin e kaluar, por që atëherë është përballur me zemërimin e qytetarëve për akuzat për korrupsion që përfshijnë zyrtarë të lartë.

Trazirat në Tiranë përkojnë me një valë më të gjerë protestash studentore në të gjithë Europën. Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë protestuar dhe kanë bllokuar shkollat për javë të tëra, duke kërkuar më shumë mësues dhe kushte më të mira për të mësuar. Ata kanë paralajmëruar se përkeqësimi i gjendjes së ndërtesave shkollore dhe mbipopullimi i klasave po dëmtojnë cilësinë e arsimit.

Protestat kundër qeverisë së Ramës nisën disa muaj më parë, të nxitura nga planet për ndërtimin e një resorti luksoz përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë, i cili është kryesisht i paprekur nga zhvillimi urban.

Mediat vendase raportuan se të mërkurën protestat u përhapën nga Tirana edhe në universitetet e Elbasanit dhe Shkodrës.

Shqipëria është ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor që po përpiqen të arrijnë standardet europiane të jetesës. Megjithatë, hendeku me mesataren e Bashkimit Europian mbetet i dukshëm sa u përket fuqisë blerëse, pagave, produktivitetit dhe cilësisë së shërbimeve publike. Pavarësisht përparimit ekonomik, vendi vazhdon të përballet me sfida si emigracioni, pabarazitë rajonale dhe nevoja për institucione më të forta dhe sundim më të mirë të ligjit.

Pas Malit të Zi, Shqipëria renditet ndër vendet që kanë bërë përparimin më të madh drejt anëtarësimit të plotë në BE. Megjithatë, pas retorikës optimiste të politikanëve, po rritet pakënaqësia e qytetarëve për ritmin e ngadaltë të integrimit europian dhe mungesën e përmirësimeve të prekshme në jetën e tyre të përditshme.

Ndërsa grupet opozitare po përpiqen të mbështesin protestuesit dhe ta shfrytëzojnë këtë moment për të forcuar pozitat e tyre, Alikaj tha se protestat po udhëhiqen nga të rinjtë dhe studentët, të cilët kërkojnë ndryshime rrënjësore në sistem.

ImageTë enjten, Rama, i cili është kryeministër që nga viti 2013, i tha agjencisë Reuters: "Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve demokratike. Vitin e kaluar patëm zgjedhje, jo revolucion".

Sokol Lleshi, pedagog i shkencave politike në Universitetin e Nju-Jorkut në Tiranë, tha se ndryshimet shoqërore kanë më shumë gjasa të vijnë nga një koalicion më i gjerë i grupeve të ndryshme shoqërore, sesa nga mobilizimi masiv i kufizuar te studentët e universiteteve dhe nxënësit e shkollave të mesme.

"Shkëputja e një pjese të elitës nga elita aktuale politike në pushtet mund të krijojë mekanizmat institucionalë për ta shndërruar pakënaqësinë ose zemërimin e shoqërisë në ndryshime politike dhe vendimmarrëse. Megjithatë, protesta e tanishme studentore nuk duket se po përsërit lëvizjen masive të studentëve universitarë të dhjetorit 2018 dhe ndikimin e saj", tha Lleshi.

Protestat studentore që tronditën Shqipërinë në dhjetor 2018 nisën për shkak të rritjes së kostove të arsimit. Ato e detyruan Ramën të shkarkonte tetë ministra gjatë një riorganizimi të kabinetit qeveritar dhe të shpallte një paketë masash të njohur si "Pakti për Universitetin".

Megjithatë, disa nga kërkesat e studentëve mbetën të parealizuara.

Lleshi nxori edhe disa përfundime më pozitive nga përvojat e mëparshme të Shqipërisë me trazirat shoqërore.

Shoqëria shqiptare është e polarizuar dhe e pabarabartë, "me institucione politike ndërmjetëse të dobësuara dhe të zbrazura nga përmbajtja", tha ai. Megjithatë, trashëgimia e trazirave dhe e përplasjeve politike do të shërbejë si një "paralajmërim për të shmangur destabilizimin", shtoi Lleshi. /Al Jazeera – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco