Rama takon drejtuesit e shkollave, kryeministri porosit mësuesit të mbajnë ditar për situatën e protestave

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar pedagogët dhe mësuesit të cilët kanë mbështetur protestat e dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin. Gjatë një takimi me drejtues të shkollave, kreu i qeverisë u shpreh se nuk mund të bëhen krahasime me protestat e viteve 90’.
“Ju falenderoj për qëndrimin drejt këto ditë, kur shumë lëkunden dhe predikojnë në media, deri në pikën si disa pedagogë që e krahasojnë këtë valë dhune me protestat e vitit 1990. Po unë s’dua të hyj këtu sepse me pedagogët është një gjë tjetër dhe unë gjërat kam dëshirë t’i them përballë”, u shpreh Rama.
Për mësuesit kishte dhe një porosi, të dokumentojnë çdo gjë që ka ndodhur me të miturit gjatë këtyre ditëve.
“Kemi dakordësuar me ministren dhe me disa këshilltarë të arsyeshëm edhe idenë që secili prej mësuesve të shkruajë edhe ditarin e këtyre ditëve, në mënyrë të detajuar, me një narrativë shumë të thjeshtë, çfarë ndodhi, si ndodhi. Jo për të pasur një dokument për ta çuar në një organ ligjzbatues, por për të pasur mozaikun e një historie që do na vlejë kur ta lexojmë”, tha Rama.
Rama ironizoi edhe ata që sipas tij po sfidojnë shtetin.
“Kjo gjë është diçka që dihej, kur nën puplat e flamingove u fshehën edhe duart që sot kanë dalë haptas. Nga ana tjetër, çfarë e sfidon një shtet, e bën vetëm më të fortë. Policia e Shtetit meriton respektin e të gjithëve”, tha shefi i qeverisë.
Kryeministri gjithashtu paralajmëroi masa për çdo protestues të dhunshëm.
“Jemi duke punuar intensivisht për të përgatitur një paketë masash, një paketë masash të natyrës jo thjesht penale por të natyrës administrative sepse kush shkatërron duhet të paguajë. Kush dëmton pronën e tjetrit, kush dëmton pronën publike, kush shkul pllakat e trotuarëve që shtrohen me paratë e taksapaguesve të këtij qyteti dhe kush detyron dhe imponohet bashkisë së qytetit, i imponohet qeverisë që çfarë ka planifikuar për shkolla, çfarë ka planifikuar për kopshte e për çerdhe, duhet ta çojë për riparime, duhet të përndiqet nga hija e shtetit që i vjen pas dhe i kërkon deri në fund një më një, dëmshpërblimin”, tha Rama.
Ndërkohë më herët, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro bëri me dije se është ngritur një ekip psikologësh, të cilët do të jenë në dispozicion të nxënësve, prindërve dhe familjeve të prekura nga situata.




