Pas Shteteve të Bashkuara, rritja e çmimeve të vezëve po kthehet në shqetësim edhe për Japoninë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, një paketë me dhjetë vezë ka arritur çmimin mesatar prej 309 jenësh, rreth 1,70 euro, duke barazuar rekordin historik. Vezët janë një ushqim bazë në dietën japoneze, ku përdoren gjerësisht në gatime tradicionale si omëleta e rrotulluar tamagoyaki, supa ramen dhe vaktet e paketuara bento. Shtrenjtimi i tyre po ushtron presion mbi restorantet e lira, të cilat po përballen njëkohësisht me rritjen e kostove të lëndëve të para dhe mungesën e punonjësve.
Disa supermarkete në Tokio kanë zgjedhur të shesin paketa me çmime deri në 88 jenë, duke pranuar humbje për të ruajtur klientelën. Një nga faktorët kryesorë të rritjes së çmimeve është shtrenjtimi i ushqimit për shpendët. Për periudhën tetor-dhjetor, kostot e ushqimit për kafshët pritet të rriten me rreth 3.200 jenë për ton, për të katërtin tremujor radhazi. Dobësimi i jenit dhe tensionet në Lindjen e Mesme rëndojnë gjithashtu importet.
Shqetësimet shtohen edhe nga rreziku i gripit të shpendëve. Japonia është përballur me epidemi për gjashtë sezone radhazi, ndërsa kriza e nisur në vitin 2022 çoi në asgjësimin e mbi 17,7 milionë shpendëve. Për të siguruar furnizimet, kompanitë po shtojnë importet dhe po investojnë në vezë të lëngshme e të ngrira, që ruhen më gjatë.