Në ditën e dytë të Samitit të Ballkanit 2026 u diskutua për turizmin shëndetësor ku u mbajtën diskutime mbi temën “Përvoja e pacientit: Krijimi i një përvoje të plotë, nga fillimi deri në fund, që ndërthur cilësinë e lartë të shërbimeve klinike me udhëtimin pa pengesa, përkthimin dhe mikpritjen gjatë rikuperimit".

Merita Osmani, drejtoreshë e shoqatës së turizmit shëndetësor në Shqipëri tregoi në detaje se si shkon procesi kur një pacient shkon në një vend tjetër për t'u mjekuar.


"Se si fillon udhëtimi i një pacienti, është e vërtetë që fillon përpara se ai të vijë në vendin ku do të kryejë shërbimet përkatëse dhe kjo fillon nëpërmjet marketingut, ku fillimisht ekspozohen edhe listohen shërbimet që ai mund të gjejë në një shtet të caktuar e më pas kontakti personal me pyetjet e para, me krijimin e një le të themi një kartele dixhitale, me marrjen e informacionit për të kuptuar më mirë nevojat e tij dhe më pas për t'ia adresuar ato në subjektet përkatëse që do ta afrojnë këtë shërbim. Kjo vazhdon më pas me vlerësimin e kartelës, pra përgatitjen e një preventivi në bazë të gjendjes së pacientit dhe duke siguruar transparencë dhe informacion të plotë hap pas hapi që ky pacient të bindet jo vetëm në bazuar në çmim dhe në marketing, por në element konkret se pse ky destinacion që ai ka zgjedhur ose klinika përkatëse që ai ka zgjedhur, është e duhura dhe i krijon atij besimin e nevojshëm për ta ndërmarrë këtë udhëtim. Më pas kalojmë te pjesa e mirëpritjes, pra faza e dytë ku pacienti vjen në destinacion dhe sigurisht pritet nga skuadra Hostess, që mund të jetë një menaxher i dedikuar ose një skuadër me disa anëtarë, të cilët bëjnë pritjen në aeroport dhe më pas përcjelljen në hotel ose menjëherë në klinikë, varet nga dinamika përkatëse", tha Osmani.

Më pas, bëhet konsulta e parë me mjekun ku theksohet nevoja e transparencës, pastaj nis faza e trajtimit mjekësor duke përfunduar me kujdesin pas trajtimit që siç e cilësoi Osmani, është po aq e rëndësishme sa vetë trajtimi.

Për ndërtimin e besimit të pacientëve, Adem Mulaj nga "Ozone Group" tha se varet shumë nga mënyra se si komunikojmë dhe se është parimore të flasim me pacientin në një gjuhë që ai kupton dhe informacioni të jetë i kuptueshëm.

"Çmimi ka rëndësi në vendimin e një pacienti, por ai duhet të kuptojë më parë kujt po ia beson veten, kush do ta trajtojë, si ndihet sot, si ti, çfarë mund të presësh, çfarë përshkruan me kosto? Ky duhet të pyet që çmimi duhet të përgjigjet siç duhet. Në një gjuhë që pacienti kupton, besimi ndërtohet kur informacioni është i kuptueshëm dhe kur mënyra që komunikojmë përputhet me mënyrën se si trajtohet", tha Mulaj.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se turizmin mjekësor e shohin edhe si një industri të integruar ekonomike.

"Oda ekonomike turizmin mjekësor e sheh përtej klinikave individiale private. Ne e shohim këtë si një pjesë të industri e integruar ekonomike, edhe e shohim si një kontribut shumë të madh në produktin vendas bruto. Për shkak se prej momentit kur pacienti interesohet fillon ajo lidhja e shumë industrive të tjera që do të përfitojnë nga ardhja e këtij pacienti", tha Rafuna.

Ndërsa Ragip Hyseni nga Ministria e Shëndetësisë tha se tashmë i kanë paraprirë çështjes së rregullimit ligjor sa i përket licencimit.

"Ministria e Shëndetësisë i ka paraprirë çështjes së rregullimit ligjor, ku para një viti është rregullu pjesa e lincencimit të pacientëve që vijnë në Kosovë, e cila taxhmë ka fillu me qëndru shumë solide", tha Hyseni. /Kp/