Goditën punonjësit e policisë, arrestohen 2 persona në Dibër

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen dhe kanë dhunuar dy efektivë në Dibër.
“Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 39 vjeç dhe D. B., 31 vjeç, të dy banues në fshatin Sinë, pasi, në bulevardin “Elez Isufi”, Peshkopi, gjatë shoqërimit në komisariat, dyshohet se kanë kundërshtuar me dhunë, 2 punonjës të Policisë, të cilët po kryenin detyrën”, njofton policia.
Ndërkohë, po në Dibër në pranga ka rënë edhe një 36 vjeçar, të cilit iu gjetën dhe sekuestruan një thikë dhe një shufër metalike.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër arrestuan në flagrancë shtetasin P. D., 36 vjeç, banues në Peshkopi, pasi, në bulevardin “Elez Isufi”, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 shufër metalike, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale”, njoftoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




