Shtetrrethimet e vendosura në zona të caktuara anembanë Francës kontribuan në një natë të qetë, pas një fundjave të karakterizuar nga trazira dhe plaçkitje në të gjithë vendin, deklaroi kryeministri Sébastien Lecornu. Gjendja e jashtëzakonshme u vendos në pjesë të Parisit qendror, përfshirë sheshin "Place de la République", ku protestuesit ishin mbledhur gjatë fundjavës, si dhe në zonën tregtare "Les Halles". Masa të tjera, që kufizojnë lëvizjen e të rinjve dhe tubimet, u zbatuan në qytete si Marseja, Bordoja, Nica dhe Lioni në jug, si dhe në Lilë e qytete të tjera në veri. Lecornu falënderoi oficerët e policisë dhe xhandarët për zbatimin e këtyre masave, duke shtuar se vendimi për ndalim qarkullimi të martën në mbrëmje do të merret në varësi të nevojave në terren. Në një postim në platformën X, ai theksoi se vendimet do të merren "në terren" nga autoritetet rajonale dhe kryetarët e bashkive. Më herët, ministri i Brendshëm Laurent Nuñez pranoi se policia kishte "humbur kontrollin" në disa qytete. Ai u kritikua ashpër nga politikanët e opozitës lidhur me gatishmërinë përballë trazirave, çka e shtyu atë të ofronte dorëheqjen të hënën; dorëheqje e cila u refuzua nga presidenti Emmanuel Macron. Sipas zyrtarëve, më shumë se 2,500 persona janë arrestuar që nga shpërthimi i trazirave. Protestat nisën muajin e kaluar, kur nxënësit kërkuan kushte më të mira shkollore, por ato u përshkallëzuan duke përfshirë një gamë më të gjerë shqetësimesh, ndërsa në demonstrata u bashkuan edhe sindikatat e grupe të ndryshme protestuesish.