Ten Hag zbulon katër yjet që deshi t’i transferonte te Man Utd, por drejtuesit e lanë duarthatë

Erik Ten Hag ka kritikuar ashpër Manchester Unitedin për dështimin në transferimin e Harry Kane dhe Declan Rice gjatë periudhës së tij në “Old Trafford”.
Trajneri holandez, i cili fitoi Kupën e Ligës dhe Kupën FA gjatë tri sezoneve te Unitedi, u shkarkua në tetor të vitit 2024. Në një intervistë për The Athletic, ai ka rrëfyer prapaskenat e disa prej vendimeve më të rëndësishme të klubit gjatë kohës së tij në krye të skuadrës.
Ten Hag zbuloi se Harry Kane ishte objektivi i tij kryesor në sulm, por drejtuesit e klubit nuk arritën ta realizonin transferimin e sulmuesit anglez, i cili në atë kohë luante te Tottenhami.
“U thashë drejtuesve të Unitedit: ‘Dua vetëm një lojtar dhe ju e dini se për kë bëhet fjalë’”, deklaroi Ten Hag, duke iu referuar Kane.
Holandezi tha se ishte përpjekur për ta bindur klubin që ta transferonte sulmuesin, por nuk ishte përfshirë në diskutimet përfundimtare mes drejtuesve. Kane përfundimisht u transferua te Bayern Munichu.

“Luftova për këtë transferim. Kisha dëgjuar se ai ishte shumë i interesuar, por nuk fola kurrë me të për këtë çështje. Nuk e di si shkoi procesi i vendimmarrjes mes drejtuesve. Ata arritën në një përfundim, por unë nuk i kisha të gjitha informacionet financiare”, shtoi ai.
Ten Hag foli edhe për Declan Rice, i cili iu bashkua Arsenalit në verën e vitit 2023 për 121 milionë euro, duke u bërë transferimi rekord i klubit londinez.
Pas dështimit për të siguruar Frenkie De Jongun nga Barcelona, trajneri e kishte kthyer vëmendjen te mesfushori anglez, por mendon se Manchester Unitedi mund të kishte bërë më shumë për ta realizuar marrëveshjen.
“West Hami nuk dëshironte ta linte të largohej. Mendoj se mund të kishim bërë më shumë për ta testuar situatën. Ishim në një linjë dhe ata u përpoqën, por nuk e di si shkoi i gjithë procesi. Te Unitedi të duhen lojtarë të jashtëzakonshëm”, u shpreh holandezi.
Ish-trajneri zbuloi gjithashtu se kishte kërkuar përforcime të tjera në sulm. Në vitin 2022, ai dëshironte ta sillte Brian Brobbeyn nga Ajaxi për të ndihmuar Cristiano Ronaldon, por negociatat nuk përfunduan me sukses.
Ndërkohë, në vitin 2024, Unitedi kishte shqyrtuar mundësinë e rikthimit të Danny Welbeckut, por, sipas raportimit të The Athletic, ndryshimet në strukturën drejtuese të klubit bënë që të mos paraqitej asnjë ofertë zyrtare. Ten Hag konfirmoi se kishte pasur kontakte dhe se sulmuesi ishte i interesuar për mundësinë e transferimit./Telegrafi/











































