Është përshkallëzuar situata para Kryeministrisë, ku pak më herët kryeministri Edi Rama kishte vendosur simbolikisht disa karrige, duke i paraqitur si një ftesë për dialog me protestuesit. Karriget janë përmbysur dhe thyer nga protestuesit.
Ndërkohë, pedagogë të universiteteve kanë dalë sot në mbështetje të studentëve, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe lirimin e studentëve të ndaluar nga policia.
Gazetarja e A2 CNN, Ornela Joti, raportoi se pedagogët janë distancuar nga veprimet e dhunshme ndaj karrigeve dhe kanë ritheksuar mbështetjen për kërkesat e studentëve.
Sipas saj, pedagogët kanë deklaruar se do të mbështesin studentët në çdo vendim që ata marrin, përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit të një dialogu me kryeministrin.
Në shenjë proteste dhe solidariteti me studentët, pedagogët kanë paralajmëruar gjithashtu bojkot të mësimit në universitete. Ata kanë bërë të ditur se do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 përpara korpusit universitar, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të studentëve.





