Britanikët duket se kanë gjetur një temë të re për bisedat e përditshme, duke lënë pas diskutimet tradicionale për shiun, diellin dhe të ftohtin. Tashmë, në shtëpi, në zyra dhe në grupet e WhatsApp-it, vëmendjen kryesore e kanë paratë, faturat dhe kostoja e jetesës. Sipas një studimi të ri, britanikët shpenzojnë mesatarisht 20 orë në muaj duke folur për financat personale, përfshirë faturat, shpenzimet dhe kursimet. Kësaj kohe i shtohen edhe 15 orë të tjera diskutime për ekonominë në përgjithësi.
Në krahasim, për motin flasin vetëm 12 orë në muaj. Më shumë se dy të tretat e të anketuarve pranuan se sot diskutojnë më shumë për paratë sesa për temperaturat apo reshjet, ndërsa 83% besojnë se rritja e kostos së jetesës e ka kthyer ekonominë në temën kryesore të bisedave në vend. Por pas këtij ndryshimi fshihet edhe një shqetësim i madh financiar. Një në katër britanikë shqetësohet çdo ditë për financat e familjes, ndërsa dy të tretat përjetojnë ankth të paktën një herë në javë. Për më tepër, mbi dy të tretat thonë se shqetësimet për paratë ua prishin gjumin.
Menaxhimi i financave është kthyer në një punë më vete për shumë familje. Rreth dy të tretat e të anketuarve thonë se organizimi i parave u duket si një punë e dytë, ndërsa 64% pranojnë se shtyjnë vazhdimisht pagesat dhe detyrat financiare. Mesatarisht, britanikët shpenzojnë një orë e gjysmë në javë duke kontrolluar llogaritë bankare, duke paguar faturat dhe duke organizuar kursimet. Megjithatë, përpjekjet nuk mjaftojnë gjithmonë. Gjysma e tyre thonë se paratë fillojnë t’u mbarojnë që në javën e tretë të muajit, ndërsa 18% përballen me mungesë parash që në mes të muajit. Të dhënat vijnë në një kohë kur familjet presin të mësojnë se si vendimet e ardhshme buxhetore do të ndikojnë te pagat, kursimet dhe shpenzimet e tyre të përditshme.