Pas tetë ditësh protestash në Tiranë, të shoqëruara me përplasje dhe akte dhune, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit në një seancë të posaçme për situatën dhe kërkesën e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në kërkesën e paraqitur në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, deputetët demokratë kërkojnë që seanca të zhvillohet brenda ditës së sotme ose, në alternativë, të mërkurën.
PD kërkon që diskutimi të përqendrohet te protesta e studentëve dhe të rinjve, kërkesa për largimin e Ramës dhe pretendimet e opozitës për përdorim të dhunës nga Policia e Shtetit.
Në njoftimin për shtyp, demokratët akuzojnë efektivët për ushtrim dhune ndaj protestuesve, përfshirë të mitur, gra dhe vajza. Sipas tyre, gjatë protestave janë raportuar fraktura, dëmtime në kokë dhe lëndime të shkaktuara nga plumbat e gomës dhe lëndët kimike.
Grupi parlamentar i PD-së pretendon gjithashtu se një pjesë e punonjësve të policisë nuk kanë mbajtur mjete identifikimi gjatë protestave.
Demokratët kritikojnë edhe anulimin e seancës plenare të parashikuar, duke pretenduar se vendimi është marrë pa njoftim paraprak dhe pa një shpjegim të arsyetuar.
“Vlerësojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin institucional të garantojë transparencën, llogaridhënien dhe shqyrtimin parlamentar të kësaj situate”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PD-së.
Njoftimi i plotë i Partisë Demokratike
"Prej tetë ditësh, studentët dhe të rinjtë shqiptarë vijojnë protestën e tyre kundër arrogancës, keqqeverisjes, korrupsionit qeveritar dhe braktisjes nga ana e Qeverisë, duke artikuluar si kërkesë të vetme largimin e Kryeministrit Edi Rama.
Gjatë këtyre ditëve të protestës, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kemi konstatuar akte të rënda dhune ndaj studentëve dhe të rinjve. Këto akte, të cilat dëshmojnë një përdorim shqetësues dhe të papranueshëm të forcës nga Policia e Shtetit, nuk kanë kursyer as të miturit, gratë dhe vajzat. Si pasojë, janë raportuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në kokë, lëndime të tjera trupore, si dhe dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i plumbave të gomës dhe i lëndëve kimike.
Përballë kësaj situate të paprecedentë, është veçanërisht shqetësues që Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm nuk ka ndërmarrë hapa për të kërkuar llogaridhënie institucionale lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, sipas konstatimeve të bëra gjatë protestave, nuk mbanin mjete identifikimi, por ka anuluar edhe seancën plenare të parashikuar, pa njoftim paraprak dhe pa dhënë një shpjegim të arsyetuar për këtë vendim.
Në këto kushte, duke vlerësuar seriozitetin e situatës dhe nevojën për ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe institucionale të Kuvendit, në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e një seance plenare brenda ditës së sotme ose, në alternativë, ditën e mërkurë, me rend dite të kufizuar në pikën e mëposhtme:
- “Diskutimi mbi protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e Kryeministrit Edi Rama, si dhe aktet e dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe të rinjve”.
Vlerësojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin institucional të garantojë transparencën, llogaridhënien dhe shqyrtimin parlamentar të kësaj situate, duke bërë të mundur diskutimin e saj në një seancë plenare dhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit të konstatuar.
Duke ju kërkuar të merrni masat e nevojshme për shqyrtimin e kësaj kërkese me urgjencë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, presim marrjen e masave për thirrjen e seancës plenare të kërkuar" thuhet në deklaratë.










Komente
Komento