Përmeti përgatitet për vjeshtën dhe dimrin, prioritet pastrimi i kanaleve kulluese

Aktualitet | 9 minuta më parë

Me afrimin e sezonit vjeshtë-dimër, Bashkia e Përmetit ka nisur marrjen e masave parandaluese për përballimin e situatave që mund të krijohen nga reshjet intensive dhe kushtet e vështira atmosferike.

Strukturat përgjegjëse të bashkisë, ndërmarrja e pastrim-gjelbërimit, sektori rrugor, Emergjencat Civile dhe shërbimi zjarrfikës janë vendosur në gatishmëri për të garantuar menaxhimin e çdo situate që mund të paraqitet gjatë muajve të ardhshëm.

Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Bujqësisë dhe Turizmit, Etleva Myftari, tha se një ndër prioritetet kryesore mbetet pastrimi i kanaleve kulluese për të shmangur përmbytjet dhe problematikat e tjera që mund të shkaktohen nga reshjet.

“Për sa i përket sezonit të vjeshtës, e gjithë Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit, sektori rrugor, sektori i Emergjencave Civile dhe zjarrfikësit janë në gatishmëri për përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen gjatë kësaj stine, në mënyrë që të mos ketë problematika me përmbytjet, zjarret apo situata të tjera të ngjashme. Një nga prioritetet kryesore të ndërhyrjes sonë është pastrimi i kanaleve kulluese. Ky është një proces i rëndësishëm për të garantuar largimin e ujërave gjatë reshjeve dhe për të minimizuar rrezikun e përmbytjeve në zonat problematike”, u shpreh Myftari.

Sipas saj, krahas pastrimit të kanaleve, rëndësi të veçantë ka edhe mirëmbajtja e infrastrukturës rrugore, sidomos në zonat malore dhe njësitë administrative të bashkisë.

“Sot kemi sektorin e rrugëve, i cili bën të mundur jo vetëm përmirësimin e të gjithë infrastrukturës rrugore në zonat malore dhe në njësitë administrative, por njëkohësisht kujdeset edhe për mirëmbajtjen e kanaleve kulluese. Përmes masave parandaluese dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, synohet që periudha vjeshtë-dimër të përballohet me sa më pak problematika, duke i kushtuar vëmendje të veçantë zonave që mund të preken nga reshjet intensive dhe grumbullimi i ujërave”, tha ajo.

Autoritetet vendore bëjnë të ditur se puna në terren do të vijojë gjatë gjithë periudhës së vjeshtës, me fokus në pastrimin e kanaleve kulluese dhe monitorimin e zonave që paraqesin rrezik më të lartë nga përmbytjet.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme