Euron nuk e rimëkëmb as pasiguria, zbret poshtë 91 lekëve

Kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi një tjetër rënie të fortë ditore të martën duke zbritur për herë të parë poshtë kufirit të 91 lekëve.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 90.77 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Rënia e kursit mbi bazë vjetore ka arritur një rekord të ri për këtë vit, në nivelin 6.2%. Një zhvlerësim i Euros me ritme të tilla nuk shënohej që prej vitit 2023.
Në të shkuarën, momentet e pasigurisë ekonomike apo politike kishin tendencën të shoqëroheshin me një rritje të menjëhershme, sado afatshkurtër, të kursit të këmbimit të Euros. Kjo tendencë mund të shpjegohej me shtimin e kërkesës për Euro, e cila perceptohej si një valutë më e sigurt ndaj efekteve të mundshme të zhvillimeve negative në ekonomi.
Prej një jave, Tirana dhe disa qytete të tjera të vendit janë përfshirë nga një valë protestash të dhunshme kundër qeverisë. Veç të tjerash, protestash janë shoqëruar edhe me dëmtime ndaj aseteve të bizneseve, sidomos ndaj bankave, institucioneve financiare dhe pikave të shërbimit të operatorëve të komunikimeve elektronike. Kjo ka krijuar një klimë të tendosur dhe pasiguri në rritje mes qytetarëve dhe sipërmarrjes.
Pavarësisht situatës së krijuar, deri tani nuk ka shenja të një ringritjeje të Euros, madje këtë javë rënia e monedhës europiane është përshpejtuar edhe më shumë.
Agjentët e këmbimit valutor e shpjegojnë rënien e mëtejshme të Euros me një ndryshim të balancave mes ofertës dhe kërkesës për valutë. Oferta e Euros po rritet nga shpenzimet e turistëve dhe transaksionet me karta në valutë, nga investimet e huaja gjithmonë në rritje, por edhe nga zgjerimi i të ardhurave në valutë të institucioneve financiare.
Ndërkohë, kërkesa për Euro duket e zbehtë, e ndikuar pjesërisht edhe nga ulja e përdorimit të Euros në transaksionet e brendshme ekonomike dhe në huamarrje. Në vitet e fundit, huamarrja, sidomos mes individëve, është zhvendosur në mënyrë masive drejt Lekut. Kjo ka ulur kërkesën për valutë me qëllim shlyerjen e kësteve të kredisë, nga huamarrësit me të ardhura në Lekë.
Ndërkohë, edhe tregu i pasurive të paluajtshme tashmë në një masë të madhe po i vendos çmimet në Lekë. Të gjithë këta faktorë po e ulin kërkesën për Euro dhe po bëjnë që Leku të fitojë gjithnjë e më shumë terren në kursin e këmbimit.
Banka e Shqipërisë vlerëson së në përgjithësi rënia e kursit të Euros mund të shpjegohet me zhvillimet në pozicionin e jashtëm të ekonomisë.
Për gjysmën e parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie me gati 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe arriti njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.
Ndikim në bilancin e përgjithshëm të pagesave po jep edhe rritja e investimeve të huaja direkte. Për 6-mujorin 2026, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.











