Aktualitet Live From Tirana

“Një trazim që të çon në një zgjidhje”/Mentor Kikia për protestën studentore: Një shoqëri është më e dënuar kur hesht…

I ftuar në një bisedë telefonike për “Live From Tirana” ka qenë Mentor Kikia ka ndarë mendimet e tij rreth protestës studentore në vend:

Ju ngjall më shumë shpresë kjo protestë apo ju bën më shumë përshtypje kaosi që e ka përfshirë vendin?

Unë nuk bëj pjesë te njerëzit ekstremistë, që ta shikoj bardhë e zi për të thënë që kjo është absolutisht e keqe apo është e mirë. Nëse do thuash që është një gjë e tmerrshme, dhuna, shkatërrimi, zjarri, protesta, nuk do të doja të isha në këtë pikë. Fatkeqësisht nuk mendoj kurrsesi që shkatërrimi është një gjë e mirë, por unë bëj pjesë tek njerëzit që reagimin qytetar, pavarësisht formës dhe përmasës, unë e shikoj në aspektin pozitiv, sepse një shoqëri është më e dënuar kur hesht, kur nënçmohet, kur nuk reagon, kur nuk flet, kur nuk ngre dorën, kur nuk ngre zërin. Një shoqëri që në momente të caktuara edhe mund të ndihet e frustruar me apo pa arsye madhore për të reaguar siç po ndodh në këto momente. Por reagimi është një gjë pozitive në tërësinë e vet, kështu që do dua ta shikoj si një trazim që të çojë në një zgjidhje, sepse vazhdoj të mendoj që ajo që po ndodh aktualisht nuk është një gjë që lindi në mënyrë spontane. Nuk është një virus që ra nga qielli dhe befas infektoi një pjesë të shoqërisë të të rinjve, i futi gjenin e dhunës dhe e gjitha kjo po shkakton që këtë që po ndodh.