Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të thërrasë një seancë plenare urgjente për të diskutuar protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama, si dhe atë që PD e cilëson dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve.
Në kërkesën drejtuar kreut të Kuvendit, deputetët e opozitës ngrenë shqetësimin për lëndimet e raportuara gjatë protestave, përfshirë rastet me të mitur, dhe kërkojnë llogaridhënie institucionale për veprimet e policisë.
PD kërkon që seanca të zhvillohet brenda ditës së sotme, ose të mërkurën, me rend dite të kufizuar te situata e protestave dhe përgjegjësia për shkeljet e mundshme të ligjit.

NJOFTIM PËR SHTYP
Prej tetë ditësh, studentët dhe të rinjtë shqiptarë vijojnë protestën e tyre kundër arrogancës, keqqeverisjes, korrupsionit qeveritar dhe braktisjes nga ana e Qeverisë, duke artikuluar si kërkesë të vetme largimin e Kryeministrit Edi Rama.
Gjatë këtyre ditëve të protestës, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kemi konstatuar akte të rënda dhune ndaj studentëve dhe të rinjve. Këto akte, të cilat dëshmojnë një përdorim shqetësues dhe të papranueshëm të forcës nga Policia e Shtetit, nuk kanë kursyer as të miturit, gratë dhe vajzat. Si pasojë, janë raportuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në kokë, lëndime të tjera trupore, si dhe dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i plumbave të gomës dhe i lëndëve kimike.
Përballë kësaj situate të paprecedentë, është veçanërisht shqetësues që Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm nuk ka ndërmarrë hapa për të kërkuar llogaridhënie institucionale lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, sipas konstatimeve të bëra gjatë protestave, nuk mbanin mjete identifikimi, por ka anuluar edhe seancën plenare të parashikuar, pa njoftim paraprak dhe pa dhënë një shpjegim të arsyetuar për këtë vendim.

Në këto kushte, duke vlerësuar seriozitetin e situatës dhe nevojën për ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe institucionale të Kuvendit, në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e një seance plenare brenda ditës së sotme ose, në alternativë, ditën e mërkurë, me rend dite të kufizuar në pikën e mëposhtme:
– “Diskutimi mbi protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e Kryeministrit Edi Rama, si dhe aktet e dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe të rinjve”.
Duke ju kërkuar të merrni masat e nevojshme për shqyrtimin e kësaj kërkese me urgjencë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, presim marrjen e masave për thirrjen e seancës plenare të kërkuar.









