Godina e Ministrisë së Ekonomisë, e dëmtuar gjatë protestës së studentëve më 14 tetor, është blinduar me struktura metalike në dyer dhe dritare.
Siç shihet edhe në pamjet e siguruara, hapësirat e godinës janë mbuluar me panele metalike, duke kufizuar aksesin në dyer dhe dritare.
Masa vjen pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës, kur një grup protestuesish u zhvendos drejt institucionit, theu derën hyrëse dhe hyri në ambientet e brendshme. Më pas, sende dhe orendi u nxorën jashtë dhe iu vu flaka.
Gjatë përshkallëzimit të protestës u raportuan gjithashtu hedhje gurësh dhe lëndësh piroteknike, si dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.












