Aktualitet Live From Tirana

“Para se Rama t’i premtonte shpërblim policëve për të rrahur qytetarët…”/Mentor Kikia: Të mos kërkohet zgjidhja tek shkopi i gomës!

I ftuar në një bisedë telefonike për “Live From Tirana” ka qenë Mentor Kikia ka ndarë mendimet e tij rreth protestës studentore në vend:

Mendoj që kjo është pasojë e problemeve të mbartura, të mbartura nga politika si qeverisja, por edhe nga problemet e mëdha social shoqërore. Këtë të dytën pak kush e konsideron. Pak kush e shikon si një çështje që është mbarsur, është trashur dhe themi po çfarë duan këta njerëz që dalin në rrugë, çfarë kërkojnë? Pa analizuar thellë se kush janë, çfarë janë ata njerëz që mund të jenë vërtetë të dhunshëm, po mund të ketë edhe elementë huliganizmit aty brenda, por janë pjesë e shoqërisë, nuk janë të tepërt për t’i marrë dhe për t’i hedhur. Kështu që në këtë pikë unë mendoj që duhen mendje të ftohta dhe të përgjegjshme për të analizuar thellë shkaqet dhe për të mos e kërkuar zgjidhjen vetëm tek shkopi i gomës.

Kemi një zhvillim kontradiktor gjatë ditës së djeshme dhe të sotme. Dje kryeministri takoi policët dhe i falenderoi për punën që po bëjnë për të ruajtur shtetin dhe institucionet. Është normale në një situatë ku prevalon dhuna, detyrë e kryeministrit është të përgjigjet për ruajtjen e institucioneve. Sot takoi përfaqësuesit e arsimit, mësuesit. Për të folur për problemet e nxënësve dhe për t’u rekomanduar se çfarë duhet të bëjnë ata për të frenuar dhunën me fëmijët. Në fakt ka një ngatërrim të radhës. Pasi ke folur me policët dhe i ke premtuar shpërblim për të rrahur të rinjtë, është e kotë të flasësh me mësuesit. Duhet të flasësh me mësuesit fillimisht dhe këtu nuk e kam fjalën për radhën brenda një dite, por në aspektin e qeverisjes afatgjatë. Mësuesi është i pari, burgu dhe polici është i fundit. Nëse vjen puna tek burgu dhe polici, kemi dështuar si shoqëri. Me fëmijët duhet punuar më herët me arsimimin, me edukimin. Pastaj të vijë dhuna, pastaj të vijë Kodi Penal, pastaj të vijë ideja që ta ulim moshën e përgjegjësisë penale nga 18 në 15 apo 16, që të fusim sa më shumë të rinj në burg. Jo nuk është kështu zgjidhja. Këtu kemi dështuar.