Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë a.i. të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Wylita Bell.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për prioritetet dhe punën që e pret Kuvendin në legjislaturën e njëmbëdhjetë, tashmë që institucionet e Kosovës janë kompletuar.


Po ashtu, në takim është biseduar për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit me institucionet amerikane.

Kryetarja Haxhiu e ka falënderuar Bellin për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

“SHBA-ja mbetet aleati ynë strategjik, ndërsa partneriteti ynë me të është thelbësor për avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Takimi vjen në kuadër të kontakteve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve amerikanë, me fokus në bashkëpunimin dhe prioritetet e legjislaturës së re. /Telegrafi/