Studentët dhe pedagogët në protestë kundër kullave, pastrimit të parave dhe kushteve të mësimit

Prej një jave, në Tiranë po zhvillohen protesta të studentëve. Sot, protestës së tyre iu bashkuan edhe pedagogët, të cilët ishin të pranishëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por cilat janë kërkesat e studentëve dhe pedagogëve? Përse po protestojnë?
Monitor bisedoi me disa prej tyre. Shumica e studentëve pjesëmarrës ishin nga degët e arkitekturës, të cilët ndër arsyet kryesore të protestës artikuluan modelin e ri të zhvillimit urban të Tiranës, përfshirë ngritjen e kullave, mungesën e hapësirave të gjelbra dhe, siç u shprehën ata synojnë mbulimin e historisë së qytetit.
“Kur në një qytet me ndërtesa dhe objekte ekzistuese, ndërtohen ndërtesa të reja, së pari, duhet marrë parasysh, atë që ky qytet ka dhe të ofron. Dhe ndërtesat që po bëhen tani në Tiranë, nëse i shikon, janë të gjitha fshehje të diçkaje më të vjetër. Kur, përmes asaj që ndërton, si të re dhe fsheh të vjetrën, ky nuk është më zhvillim, por një përpjekje për të mbuluar një pjesë të së kaluarës.
Për shembull, pranë Kullës së Sahatit dhe xhamisë së Tiranës janë ngritur kulla që i fshehin këto dy objekte. Në këtë rast, nëse qeveria po ngre objekte të reja që fshehin të kaluarën, ajo nuk po zhvillon më, por po fsheh të kaluarën, historinë e një qyteti, për të lënë vetëm gjurmën e vet apo gjurmën e një njeriu. Ky nuk quhet më zhvillim”, pohoi një studente e vitit të parë të degës Arkitekturë.
Shqetësim për studentët e rinj të arkitekturës është edhe modeli i zhvillimit të qendrës së Tiranës përmes kullave, të cilat sipas tyre, nuk i shërbejnë strehimit të familjeve shqiptare.
“Sa nga shqiptarët mund t’i blejnë apartamente aty dhe sa prej tyre ngelen bosh? Marrim rastin e kullës gjigande, në sheshin Skënderbej. Sa shqiptarë kanë mundësi të blejnë apartamente në këtë kullë? Kujt po i shërben ndërtimi i tyre, kur të gjitha këto ndërtime në Tiranë po bëhen nga arkitektë të huaj? Nuk ka asnjë arkitekt shqiptar që po i ndërton”, pohoi një prej studentëve të një fakulteti privat të arkitekturës në Tiranë.
Pas dëmtimeve të godinës së Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës në Tiranë nga tërmeti i vitit 2019, studentët e këtyre degëve po zhvillojnë mësimin në ambientet e Universitetit Politeknik. Mbipopullimi i klasave dhe mungesa e laboratorëve për zhvillimin e orëve praktike janë shqetësime të tjera që ngritën studentët e intervistuar.
“Ende për ne nuk ka një universitet ku mund të zhvillohet mësimi. Studiojmë nëpër godina të vjetra dhe, mbi të gjitha me ne bëhet ping-pong, shkojmë sa në një godinë, aq edhe në tjetrën. Ndërkohë që ndërtimi i kullave në Tiranë përfundon brenda dy vitesh, si ka mundësi që shkolla jonë po merr mbi 6 vjet për t’u rindërtuar?
Në ambientet e Politeknikut mungojnë laboratorët për të zhvilluar orët e mësimit, për të studiuar materialet e ndërtimit dhe për të zhvilluar orë praktike, me qëllim që mësimi të mos jetë monoton dhe vetëm teorik. Mungon gjithçka. Ne qëndrojmë në klasa, por qëndrojmë në këmbë. Nuk kemi mjaftueshëm klasa për të zhvilluar orët e mësimit. Në klasa qëndrojnë 100 studentë, ndërkohë që kapaciteti është 60”, u shpreh një prej studentëve të vitit të parë të degës Arkitekturë.
Në mbështetje të studentëve, ndër pedagogët e shumtë të pranishëm ishte edhe pedagogu i urbanistikës, Gentian Kaprata.
Kaprata pohoi për Monitor se merrte pjesë në protestë në mbështetje të aspiratave dhe synimeve të studentëve.
“Të mbështesim studentët, është shumë e thjeshtë. Prej vitesh e kemi kuptuar se cila është qeveria Rama, por sot kuptuam që kemi edhe një rini të mrekullueshme. Ne, pedagogët, ndihemi të realizuar. Shikoni çfarë rinie! Kishim frikë se çfarë rinie po edukonim, por shikoni rininë që kemi edukuar ne. Ne nuk jemi kaq të mirë sa këta.
Sot ne jemi këtu për të mbështetur studentët, por edhe ëndrrat tona, synimin tonë për një shtet liberal, jo një shtet feudal; për një shtet kapitalist, jo një shtet feudal. Ne jemi një feudalizëm socialist, i drejtuar nga një njeri i vetëm”, u shpreh Kaprata.
I pyetur për qëndrimet e studentëve të arkitekturës kundër modelit të zhvillimit urban të Tiranës, ngritjes së kullave dhe mungesës së hapësirave të gjelbra, Kaprata u shpreh se ishte i lumtur që studentët po artikulonin mendimet e tyre kritike, duke referuar faktet konkrete të shkatërrimit urbanistik të kryeqytetit.
“Kjo për mua është maja e lumturisë. Të kesh arritur t’ua shpjegosh studentëve, që pastaj të dalin me mendimin e tyre, të përputhur me faktin se Tirana është shkatërruar jo për shkak të urbanistikës, por për shkak të pastrimit të parave të krimit, apo të parkimit të parave. Pra, nuk kemi thjesht pastrim parash, por shkatërrim të një territori të madh, siç është Tirana, por edhe jugu i Shqipërisë, për të pastruar paratë e krimit. Jam i bindur që një ditë do të bëhet verifikimi për individët që zotërojnë 40 apo 70 apartamente, të cilat nuk arrijnë t’i justifikojnë”, deklaroi Kaprata.
Para nisjes së protestës një grup prej 1350 pedagogësh nëpërmjet një deklarate publike dolën në mbështetje të kërkesave të studentëve.
Pedagogët dënuan dhunën që, sipas tyre, është ushtruar ndaj studentëve gjatë protestës dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe krijimin e një qeverie kujdestare./ D.Azo
Pedagogët u bashkohen studentëve, kërkojnë qeveri kujdestare pas dhunës ndaj të rinjve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










