Van Dijk i gatshëm për epokën e re te Liverpooli nën drejtimin e Iraolas

Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka shprehur vendosmërinë për ta udhëhequr skuadrën drejt një kapitulli të ri, nën drejtimin e trajnerit Andoni Iraola.
Pas largimit të Arne Slotit dhe përfundimit të sezonit të kaluar në vendin e pestë në Ligën Premier, Liverpooli po përgatitet për një fazë të re, me ndryshime në përbërjen e skuadrës dhe synime të qarta për t’u rikthyer në nivelet më të larta.
Në një intervistë për revistën Man About Town, mbrojtësi holandez ka theksuar se motivimi i tij për të fituar mbetet i njëjtë, pavarësisht ndryshimeve që po ndodhin në klub.

“Jam në fushë, në palestër dhe në shtëpi, gjithmonë me të njëjtën uri për sukses”, deklaroi Van Dijk.
Duke folur për ndryshimet në skuadër dhe periudhën e re që po nis te Liverpooli, 35-vjeçari theksoi se e ndien përgjegjësinë për të dhënë maksimumin, si ndaj tifozëve, ashtu edhe ndaj vetes.
“E kam këtë përgjegjësi ndaj tifozëve tanë, por edhe ndaj vetes. Nuk dal në fushë për të dhënë vetëm gjysmën e mundësive të mia apo për të menduar se gjithçka është ndryshe tani. Unë luaj futboll dhe stërvitem për të fituar. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë”, u shpreh kapiteni i Liverpoolit.

Van Dijk vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të skuadrës angleze dhe një lider i rëndësishëm në repartin defensiv.
Sezonin e kaluar, ai regjistroi gjashtë gola në 38 paraqitje në Ligën Premier, duke dëshmuar se mbetet një element me ndikim edhe në fazën ofensive.
Tashmë, me një kapitull të ri që po hapet në ‘Anfield’, Liverpooli do të mbështetet edhe te përvoja dhe lidershipi i kapitenit holandez për t’u rikthyer në garën për objektivat më të mëdhenj. /Telegrafi/










































