Një shumë prej 16 080 eurosh të padeklaruara është zbuluar nga autoritetet doganore gjatë kontrollit të një kamioni në tragetin e linjës Durrës-Bari.
Sipas njoftimit të Doganës Shqiptare, kontrolli u krye nga punonjësit e Degës Doganore Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, në kuadër të intensifikimit të kontrolleve në vijën e dytë gjatë përpunimit të tragetit.
Gjatë kontrollit fizik të kamionit, autoritetet konstatuan shumën prej 16 080 eurosh, në prerje të ndryshme, e cila nuk ishte deklaruar nga poseduesi.
Pas zbulimit të parave, u njoftuan strukturat përgjegjëse dhe u ndoqën procedurat ligjore përkatëse, në bashkëpunim me organet kompetente.
Doganat bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë të forcohen me qëllim parandalimin dhe evidentimin e shkeljeve të legjislacionit doganor.


