Një defekt në infrastrukturën e “Google Cloud” në Britaninë e Madhe ka shkaktuar probleme teknike në disa vende të Evropës, duke prekur shërbimet bankare dhe një sërë platformash online.
Sipas raportimeve, problemi u shfaq në infrastrukturën teknologjike të kompanisë në rajonin e Londrës, me pasoja edhe përtej kufijve britanikë.
Ndër shërbimet e prekura ishin pagesat digjitale dhe qasja në llogaritë bankare, përfshirë shërbimet e bankave digjitale “Revolut” dhe ING. Përdorues në disa vende evropiane raportuan vështirësi në hyrjen në aplikacionet bankare dhe në kryerjen e transaksioneve.
Problemet nuk u kufizuan vetëm te sektori bankar, pasi ndërprerja ndikoi edhe në funksionimin e faqeve të internetit dhe aplikacioneve të bizneseve që mbështeten në infrastrukturën kompjuterike të “Google Cloud”.
Kompania konfirmoi problematikën përmes faqes zyrtare të statusit të shërbimeve, duke bërë të ditur se ekipet teknike po punonin për rikthimin e funksionimit normal.
Ndërkohë, “Google” vijonte të analizonte shkallën e ndikimit të ndërprerjes në nivel ndërkombëtar, si dhe shkakun e defektit të evidentuar në infrastrukturën e saj në Londër.


