Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e protestuesve të arrestuar gjatë tubimit, duke caktuar masa më të lehta sigurie për personat nën hetim.
Sipas vendimit të gjykatës, 12 prej tyre do të jenë nën masën e “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Për njërin prej protestuesve është vendosur edhe ndalimi i afrimit në një distancë më të vogël se 100 metra nga ndërtesat e institucioneve publike, si dhe ndalimi i qëndrimit në sheshe dhe ambiente ku zhvillohen tubime apo manifestime publike, pa autorizimin paraprak të gjykatës.
Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar masa sigurie për personat e arrestuar, duke propozuar për 10 prej tyre “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim dhe detyrim qëndrimi në një vend të caktuar”, ndërsa për dy të tjerë, G. P. dhe R. H., kishte kërkuar masën e “arrestit në shtëpi”.
Personat nën hetim dyshohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”.














