Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas refuzimit të dialogut nga pedagogë dhe intelektualë që iu bashkuan protestës kundër qeverisë, duke përsëritur se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me këdo që dëshiron dialog.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet nga ambientet e brendshme të Kryeministrisë, Rama ka sjellë në vëmendje thirrjet e protestuesve që kërkonin dorëheqjen e tij dhe kundërshtonin dialogun me qeverinë.
“Dorëheqje! Poshtë diktatura! Poshtë komunizmi! Nuk duam dialog! Këto janë thirrjet e pedagogëve dhe intelektualëve të mbledhur këtu poshtë”, shprehet Rama në video.
Krahas pamjeve, kryeministri përsërit se mbetet i hapur për bisedime me protestuesit dhe çdo grup që dëshiron të ulet në tryezën e dialogut, në një kohë kur protestat studentore dhe kundërshtimi ndaj qeverisë vijojnë në kryeqytet.











