Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat masive të të rinjve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Reagimi i plotë:
Të lidhura
None found
Në cilësinë e prindit, Bushati shprehet se qëndron në krah të të rinjve që kërkojnë mundësinë për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre.
Si pjesë e botës universitare, ai thotë se i mbështet pa rezerva kërkesat e studentëve. Sipas tij, e ardhmja do të formësohet nga aspiratat, revolta dhe energjia e një brezi që nuk pranon ta konsiderojë normalitet atë që i ofrohet.
Ndërsa si qytetar, Bushati thekson se kundërshton si aktet e dhunës, ashtu edhe përdorimin e forcës së tepruar nga policia.
Ai kujton se në momentet kur Shqipëria është ndodhur përballë kthesave të rëndësishme, të rinjtë kanë qenë ata që i kanë paraprirë ndryshimit. Kështu ndodhi në vitin 1990, ndërsa në vitin 1996 ata u përpoqën sërish. Mosmarrja parasysh e kërkesave të tyre, sipas tij, i parapriu tragjedisë së vitit 1997.
Prej disa muajsh, vijon reagimi, të rinjtë shqiptarë janë rikthyer në sheshe dhe kanë shfaqur një pasion të veçantë të këtij brezi. Ky pasion nuk artikulohet gjithmonë në mënyrë të qartë dhe jo në çdo rast shoqërohet me disiplinë.
Kërkesa e tyre është për një Shqipëri të re. Ata refuzojnë që korrupsioni dhe krimi i organizuar të trajtohen si pjesë normale e jetës publike, kundërshtojnë përqendrimin ekstrem të pushtetit që e sheh atdheun si pronë personale dhe nuk pranojnë një model kapitalizmi grabitqar, i cili sjell kosto të papërballueshme jetese, largim nga vendi dhe ndarje të thella shoqërore.
Bushati vlerëson se shpërfillja e kërkesave të të rinjve dhe përpjekja për të krijuar ndarje mes flamingove dhe sorrave kanë dështuar. Sipas tij, nuk mund të funksionojë tentativa për t’i klasifikuar protestuesit si të mirë apo të këqij, as përdorimi i një gjuhe kërcënuese ndaj të rinjve, prindërve dhe medias.
Ai shton se shkopinjtë e gomës, gazi lotsjellës, uji i hedhur me presion dhe motivimi financiar i policisë nuk mund ta shuajnë revoltën e një brezi që është në dijeni të shumë skandaleve dhe përballet çdo ditë me vështirësi të shumta. Po aq e pamjaftueshme, sipas tij, është edhe përpjekja për t’ua atribuar fajin “forcave të huaja”, në një shoqëri europiane dhe thellësisht pro-amerikane.
Të rinjtë po kërkojnë një Shqipëri të re, ndërsa përgjegjësia për t’iu përgjigjur kësaj kërkese u takon mësuesve, prindërve, sipërmarrësve, punëtorëve, akademikëve dhe, mbi të gjitha, Partisë Socialiste.
Partia Socialiste, përfundon Bushati, duhet të jetë në lartësinë e kërkesave të kohës dhe të kuptojë dallimin mes asaj që lidhet me një moment politik dhe asaj që ia detyron Shqipërisë.






